26-04-2024

Burri në Kabash të Hasit kërcënon vëllain me jetë, ia dëmton veturën

Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në fshatin Kabash të Hasit në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet.

Sinjali mëson se në ngjarje janë përfshirë dy vëllezër, ku njëri nga ta dyshohet se ka kërcënuar me jetë vëllain e tij më të ri në moshë.

Madje ai dyshohet se ka kryer edhe veprime vandale ndaj tij, duke i dëmtuar veturën personale. Kjo ka bërë që 31-vjeçari ta denoncojë rastin në Polici, me ç’rast i dyshuari është ftuar për intervistim në stacion policor.

38-vjeçari është arrestuar dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Asnjë koment

Comments are closed.