26-11-2024

Caktohet dalja në vendin e ngjarjes në gjykimin për vrasje të rëndë tek “Tranziti i ri” në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka urdhëruar rekonstruimin e vendit të ngjarjes në rastin ku Orhan dhe Albert Ademaj po akuzohen për vrasje të rëndë të M.K në maj të 2020-ës.

Propozimin për rekonstruimi e vendit të ngjarjes e ka bërë të enjten mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ademaj, avokati Hajrip Krasniqi, të cilin më pas e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga zhvillimi i deritashëm i kësaj çështje penale dhe marrjeve të përgjigjeve jobindëse për mbrojtjen për vendin e ngjarjes, propozoj që trupi gjykues të dalë në vend të ngjarjes për rekonstruim”, tha avokati Krasniqi.

Paraprakisht, gjatë kësaj seance në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Erzen Bytyqi, i cili ka qenë pronar i një auto-servisi në afërsi të të cilit ka ndodhur ngjarja kritike.

Dëshmitari Bytyqi deklaroi se rasti kritik kishte ndodhur tek vendi i quajtur “Tuba e dheut” dhe se ai nuk e kishte parë se si ishte zhvilluar ngjarja, pasi kishte qenë duke ngrënë bukë, i kthyer me shpinë nga rruga.

Bytyqi ka rrëfyer se në ditën kritike pas kishte dëgjuar një zhurmë, kishte dalë jashtë servisit të tij dhe kishte parë dy persona, të cilët kanë lëvizur në drejtim të punishtes së tij.

Më pas, dëshmitari tha se njëri nga këta dy persona, i cili e kishte mbajtur gjoksin me dorë, më pas kishte rënë përtokë, por se ende kishte qenë i gjallë.

Po atë ditë, Bytyqi tha të kishte dëgjuar dikë që kishte thënë fjalët “Drenicë çka mban”, por se nuk e dinte se kush i kishte thënë këto fjalë.

“E kam pa personin i cili e mbante gjoksin me duar, e kam dëgjuar zërin, nuk e di cili person ka thënë ato fjalë “Drenicë çka mban”, ekziston mundësia që kam harruar pasi që në ndërkohë kam pasur edhe një operacion në zemër”, tha dëshmitari.

Avokati Krasniqi ka kërkuar nga dëshmitari që të shikojë në publik, për të verifikuar nëse e njeh ndonjërin nga personat prezent në sallë.

Lidhur me këtë, Bytyqi u përgjigj se e njeh vetëm një person, i cili është gardian dhe myshteri i tij, i ulur në karrigen e fundit të sallës.

Ndërsa, prokurori Genc Nixha ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Miran Halili, por se gjatë deklarimit të tij, prezent të jetë edhe njëri nga përpiluesit e raportit për shkak të gjendjes shëndetësore të Halilit

 

Propozimin e prokurorit Nixha e mbështeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sylë Hoxha.

Mirëpo këtë propozim e kundërshtoi avokati Blerim Mazreku, i cili tha se prania e ekspertit në sallë do të ndikonte në deklarimin e dëshmitarit Halili.

Në fund të seancës, gjykatësja Elezi ka aprovuar propozimin e prokurorisë dhe tha se do të lëshohet urdhëresa për sjelljen e dëshmitarit Miran Halili, i cili gjendet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, si dhe do të ftohet e eksperti Dr.sci. Bujar Obërtinca.

Ndërsa, rekonstruimi i vendit të ngjarjes është caktuar për 7 korrik 2022, kurse seanca e radhës pritet të mbahet më 30 qershor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.

Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.

Sipas aktakuzës, kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transit i ri” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përskaj rruge është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.

Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.

Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227 të 1 majit 2020.

Me këto veprime, Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” për të cilën vepër penale parashihe dënim me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.