Caktohet data e mbajtjes së balotazhit për zgjedhjet lokale
Gjashtë ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë të diele.
Nëse asnjë nga kandidatët për kryetar të komunave nuk fiton më 50%+1 të votave, atëherë do të organizohet edhe një raund i ri zgjedhor.
Kësisoj, balotazhi në ato komuna ku asnjëri nga kandidatët nuk fiton më të parën, raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet më 14 nëntor.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së për “Indeksonline”, Valmir Elezi.
“Ligji për zgjedhjet lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar që të organizojë raundin e dytë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë. Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë. Në raundin e dytë, kandidati i cili fiton shumicën e votave, zgjidhët Kryetar i Komunës”, ka thënë Elezi.
Elezi poashtu ka ndarë disa të dhëna edhe për zgjedhjet e kaluara lokale.
“Në Zgjedhjet Lokale 2017, raundi i dytë është organizuar në 50% të komunave apo në 19 nga 38. Por, nëse flasim për nga detajet e një procesi zgjedhor, raundi i dytë është organizuar në rreth 71% e vendvotimeve apo në 1,777 nga 2,505, si dhe numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë ka qenë rreth 72% e votuesve apo rreth 1.4 milion votues nga rreth 1,9 milion votues”, ka përfunduar Elezi./Indeksonline/