Kuvendi i Komunës (KK) i Prizrenit, me kërkesë të opozitës do të mblidhet këtë të premte, në një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth gjendjes së fundit në arsimin prizrenas, pas emrave të propozuar për drejtorë shkollash, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Seanca mbahet me kërkesë të PDK-së në opozitë e të përkrahur edhe nga kuvendarët e AAK-së. Në mbledhje parashihet një pikë e rendit të ditës: “Debat për gjendjen jo të mirë në arsim, konkursin për drejtorë të shkollave”.
Kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Artan Abrashi konfirmoi për “GazetaePrizrenit.net” se ka caktuar mbledhjen për datën 5 tetor, në orën 10:00.
Në seancë pritet ta jep versionin e tij edhe drejtori i DKA-së, Skënder Susuri.
PDK që është pjesë e opozitës në Prizren, përmes një komunikate, por edhe gjatë mbledhjes së fundit të KK-së, javën e kaluar ka kritikuar pushtetin për rezultatet e fundit të konkursit të përsëritur për drejtorë shkollash. Ajo pat njoftuar se këtë çështje do ta trajtonte më gjerësisht në një seancë të posaçme kushtuar gjendjes në arsim.
Pos, opozitës kritika rreth gjendjes së fundit në arsim, pas shpalljes së rezultateve të konkursit, kanë edhe vetë partitë e koalicionit qeverisës. Në LDK kanë kritikuar se kandidatët, pjesë e Nismës Socialdemokrate në Prizren, që edhe menaxhon Drejtorinë e Arsimit kanë marrë numrin më të madh të shkollave.
Asamblistë të LDK-së në Kuvendin Komunal, të premten e kaluar, në mbledhjen e këtij organi, derisa bënë kritikat e tyre në adresë të DKA-së, në shenjë revolte thanë se do të heqin dorë nga pjesëmarrja në rastet kur flitet për arsimin. Kjo mbetet të shihet të premten, kur është caktuar pikërisht një seancë për këtë çështje.
Ndryshe, kjo është hera e dytë brenda dy muajsh, kur me kërkesë të opozitës, KK i Prizrenit në këtë përbërje detyrohet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme. Herën e parë, me kërkesë të AAK-së u mblodh për të debatuar përgjegjësitë e drejtorit komunal për kulturë, për mosmbajtjen e festivalit “Zambaku i Prizrenit”.
Ky është një sinjal, se në pjesën e dytë të vitit opozita në Prizren po paraqitet më këmbëngulëse dhe se ka filluar me veprime konkrete./GazetaePrizrenit.net/