24-11-2024

Caktohet super-ekspertizë në gjykimin për keqpërdorim pozite ndaj ish-kryetarit të Suharekës, Asllanajt

Për shkak të dallimeve të dy ekspertizave që janë realizuar në procesin gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Gjykata Themelore në Prizren, të premten, ka caktuar bërjen e një super-ekspertize.

Krahas Asllanajt, për këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohen edhe ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Asllanaj akuzohet se sa ka qenë në pozitën e kryetarit të Suharekës, pa procedurë të tenderimit, ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit dhe bashkëfinancimit ndërmjet Komunës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren Financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Në seancën e kaluar gjyqësore që ishte mbajtur më 23 prill 2019, eksperti financiar Bekim Pireva, si i propozuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, gjatë elaborimit të ekspertizës së tij, kishte thënë se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Suharekës, apo buxhetit të shtetit, nga veprimet e të akuzuarve, është mbi 10 mijë euro.

Kurse, eksperti financiar Gani Sallauka, si i propozuar nga ana e mbrojtjes, kishte deklaruar të kundërtën.

Ai kishte thënë se nga ky bashkëfinancim, kjo komunë ka kursyer mjete rreth 4000 euro.

Ndryshe, eksperti Sallauka, e ka vazhduar elaborimin e ekspertizës së tij, edhe në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, për të cilën ekspertizë, ka thënë se ka vërejtje prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.

“Kjo ekspertizë është bërë duke u bazuar vetëm me marrëveshjen për bashkëfinancim pa analizuar efektin juridik të marrëveshjes për bashkëfinancim, e dyta pa u shërbyer edhe me provat tjera të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj çështje penale”, ka thënë prokurorja Gashi.

Prokurorja e ka pyetur ekspertin nëse menaxhimin dhe financimin e parasë publike i rregullon Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

“Unë jam këtu për me elaboru çdo gjë që ka të bëjë e që është e parapame me marrëveshjen e bashkëfinancimit, ndërsa për pyetjen e prokurores nuk e di, nuk bie në domenin tim”, është përgjigjur eksperti Sallauka, duke thënë se qëndron në tërësi pranë ekspertizës së bërë me shkrim.

“Çdo mall ose shërbim në pajtim me LMD duhet të paguhet, asnjëherë asnjë mall apo shërbim me ligj nuk thotë që duhet të paguhet dy herë. Në rastin konkret rezulton se nëse realizohet kërkesa e tij i bie që të paguhet dy herë, problemi qendror se avokati i komunës nuk ka qenë në gjendje që të dëshmojë se këto para komuna njëherë i ka paguar”, ka thënë eksperti Sallauka.

Pas dëgjimit të ekspertit, gjykatësi Artan Serjani, ka thënë se gjykata sipas detyrës zyrtare do të caktojë super-ekspertizë.

Kurse, për seancën e radhës mbrojtësi i Asllanajt, avokati Sehad Haliti, i ka propozuar gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen drejtori i OJQ “Kosova Hope”, Berat Gegaj, si dhe drejtori i kompanisë “Saba Turs”, Bashkim Bytyqi.

Gjykatësi Sejrani, pas konsultimit me trupin gjykues ka aprovuar kërkesën e palës mbrojtëse, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 29 gusht 2019, prej orës 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Sherif Berisha, akuzohet se prej 16 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, duke keqpërdorur detyrat e tij zyrtare, lejon që drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, Milazim Hajdari, të lëshojë raporte për bartjen e nxënësve në periudhën nga 16 shtator deri më 27 nëntor, operatorit ekonomik “Saba Tours”, gjoja se ky operator ka kryer shërbimin e transportit të nxënësve.

Në aktakuzë, thuhet se i njëjti në periudhën e njëjtë kohore, ka lëshuar edhe tri raporte operatorit “Shqiproni Tours”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën e 6572 euro, ngase kjo shumë i ishte paguar operatorit “Saba Group” për shërbimin që nuk e kishte kryer.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Berisha, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 4000 euro, ngase si përgjegjës për menaxhimin e projektit, nuk i kishte kërkuar mjetet të cilat nuk ishin shpenzuar nga pjesa e investimeve të përgjithshme marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari, Milazim Hajdari, në cilësi të drejtorit të shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës, akuzohet se i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe duke përpiluar raporte për bartjen e nxënësve operatorëve të ndryshëm, me anë të së cilës shkel ligjin mbi detyrat e tij.

Sipas organit të akuzës, dëmin që ia shkakton buxhetit të Republikës së Kosovës, kap vlerën e 6572 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.