26-11-2024

Çdo e 2/3 veturë e armatosur”/ Policia – Ramës: Një armë gjendet në disa qindra vetura të kontrolluara

Pas deklaratës së kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ka marrë informata nga drejtori i Policisë se pas mesnatës në kryeqytet çdo e dyta ose e treta veturë është e armatosur, Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë, ku ka dhënë statistika, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Policisë, deri në muajin korrik kanë konfiskuar mbi 600 armë, teksa në planin operativ për sezonin dimëror 2022-2023, janë kontrolluar mbi 160 mijë vetura.

Në njoftim thuhet se bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, kurse vetëm në Prishtinë 86 mijë.

“Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara.”

Ndërsa sa i përket operacionit që ka nisur mbrëmë, i koduar si “Goditja” janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), ku janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës).”

Po ashtu Policia ka njoftuar se referuar të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara.

“Më të dhënat e ofruara, nuk pretendohet të justifikohet armëmbajtja pa leje, nuk pretendohet të minimizohet kjo dukuri e të relativizohet, por të ofrohen disa të dhëna që mund të përdoren për të ofruar një pasqyrë më reale për dukurinë e armëmbajtjeve pa leje. Rreth luftimit të kësaj dukurie duhet aktivitet i përbashkët i institucioneve relevante në vend. Policia do të vazhdojë aktivitetet duke hartuar e zbatuar plane operative, duke ndërmarrë fushata vetëdijësuese dhe për të pasur suksese më të mëdha fton të gjithë qytetarët për bashkëpunim në këtë drejtim.”, përfundon komunikata.

Asnjë koment

Comments are closed.