Çfarë ndodhi sot në Hagë me ish-Presidentin Thaçi, të gjitha informacionet
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot u paraqit për herë të parë para Dhomave të Specializuara në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.
Në fillim të seancës, gjykatësi Nicolas Guillou e informoi Thaçin për procedurat që ndiqen në paraqitjen e parë të të akuzuarit. Ndërsa po nga fillimi, David Hooper, avokat i Thaçit, pati vërejtje ndaj Gjykatës Speciale.
Lexo Edhe:
Dy të vdekur me Covid në Prizren dhe 12 të infektuar të rinj
Ai tha se nuk ka qenë e mundur që “të themelohet një trupë mbrojtëse” e Thaçit për shkak të mos kryerjes si duhet të detyrave nga ana e gjykatës.
Pasi u prezantua dhe pasi iu lexuan të gjitha akuzat e rënda për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, Thaçi pak më pas u pyet nga gjykatësi nëse i ka kuptuar të gjitha akuzat.
Ish-shefi politik i UÇK-së u përgjigj shkurt, duke i hedhur poshtë akuzat.
“I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, deklaroi Thaçi.
Pas kësaj, ish-Presidenti u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat edhe në dy raste tjera.
Avokati i Thaçit iu kthye përsëri pyetjeve për prokurorët e Speciales, duke kërkuar akuzat për trafikim organesh, që qenë themel i ngritjes së Gjykatës Speciale.
Ai u përplas edhe me gjykatësin Nicolas Guillou lidhur me simbolet e Kosovës, që mungojnë në këtë institucion të drejtësisë.
Replikat nisën kur avokati David Hooper e ka ngritur çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Avokati tha se Thaçi nuk e meriton të qëndrojë në paraburgim, ndërsa shtoi se do ta kërkojë ligjërisht lirimin e tij me kusht.
David Hooper rikujtoi se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e kishte quajtur Thaçin “George Washington i Kosovës”.
Avokatit i ka penguar edhe transferimi në pranga i Thaçit nga paraburgimi deri në sallën e gjyqit. Këtë vërejtje të Hooper e ka kundërshtuar gjykatësi, i cili ka thënë se Thaçi s’mund të trajtohet në mënyrë speciale.
Në fund të seancës së parë gjyqësore, gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur Thaçin nëse ka për të thënë diçka që e ndjen të nevojshme. Por, ish-presidenti u përgjigj shkurt pasi nuk ka dashur të flasë për qëndrimet e tij ndaj Tribunalit, ashtu siç bëri paraprakisht bashkëpunëtori i tij i vjetër në UÇK e në politikë, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimn u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. /GazetaExpress/