20-04-2024

Çfarë po ndodh me pozitën e drejtorit për Arsim në Prizren, Skënder Susurit?

Ka kaluar java, kur është paralajmëruar largimi nga pozita i drejtorit për Arsim në Prizren, Skënder Susurit. Konfirmimin e ka bërë subjekti prej nga vjen ai, Nisma Socialdemokrate (NS).

Përkundër që drejtuesit e Nismës premtuan se në ditët e para të këtij muaji, do të caktohej pasuesi i Susurit, pas kësaj nuk kanë preferuar të deklarohen, derisa Susuri vazhdon ta ushtrojë detyrën, ndonëse referuar burimeve të besueshme, nga partia i është rekomanduar lirimi i vendit, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Një burim brenda Komunës, me kusht anonimiteti, ka konfirmuar se kryetari, Mytaher Haskuka, tashmë e ka kërkesën nga Nisma për zëvendësimin e Susurit, por siç thuhet për shkak të intensitetit të punëve nuk është marrë me rastin.

Ndërkaq, jozyrtarisht flitet se Haskuka ka hezituar të veproj, përkundër kërkesës nga NS.

Portali ka kërkuar sqarime nga Zyra për media pranë Komunës, ndërsa ka marrë përgjigjen se Susuri, sikurse edhe drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Ehat Oreshka, për të cilin flitet se do të ndërrohet, vazhdojnë t’i ushtrojnë detyrat e tyre.

“Për çdo ndryshim të mundshëm tek pozitat e drejtorëve, njoftimi zyrtar së pari bëhet nga faqja zyrtare e Komunës”, përgjigjet për “Gazeta e Prizrenit”, zëdhënësi i Komunës, Lis Dorambari.

Në anën tjetër, kryetari i degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha, që pat konfirmuar se kërkesa për largim të Susurit kishte ardhur pas analizës së punës së përfaqësuesve të NS-së në ekzekutivin e Prizrenit, për një vit e gjysmë sa është në qeverisjen komunale.

“Pas analizave të bëra kemi ardhë në përfundim se duhet të rritet dinamika e punës në DKA-në e Prizrenit dhe në pajtim të ndërsjellë jemi pajtuar që Skënder Susuri të liroi pozitën aktuale të drejtorit edhe për arsye tjera profesionale një kuadër tjetër nga fusha e arsimit brenda strukturave të Nismës”, pat thënë për “Gazeta e Prizrenit”, ai.

Përkundër që Berisha pat thënë se nga fillimi i majit subjekti i tij, do të ofrojë një kuadër tjetër për vazhdimin e angazhimit me përgjegjësi në arsimin e Prizrenit, përkundër interesimit tonë më pas ai nuk ka preferuar të flas.

Tashmë në qytet kanë nisur të lakohen emrat e pasuesve të Susurit, ndërsa si më i mundshmi përmendet ai i Sabri Micit. Megjithatë kjo nuk konfirmohet zyrtarisht.

Sido që të jetë një situatë e tillë padyshim që reflektohet në mbarëvajtjen e punëve në DKA.

Zhagitja për definimin e çështjes së drejtorit të DKA-së jep të kuptosh se diçka nuk po funksionon në relacionin mes kryetarit Haskuka dhe partnerit në bashkëqeverisje Nismës.

Cila është situata në këtë rast?  Nëse Haskuka nuk po përfill kërkesën për largimin e këshilltarit të tij Susurit, atëherë kjo mund të kuptohet si një e drejtë e tij institucionale,  derisa Nisma, të cilës pas ndarjes së pushtetit i takon menaxhimi i sektorit të Arsimit, atëherë ka të drejtë politike./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.