22-11-2024

Çfarë po ndodh me PDK-në në Prizren?

Shkruan: Nexhat Çoçaj

Është momenti i fundit që PDK, në qendër të mendojë për këtë situatë të PDK-së në Prizren, nesër mund të jetë shumë vonë.

Që në fillim të këtij shkrimi dua të sqaroj, për të gjithë ata të cilët do të mendojnë se pse gjithë kjo brengë për PDK-në, në këtë kohë kur e ka pushtetin në Prizren. Së pari duhet t’ia kujtojë të gjithë anëtarëve dhe simpatizuesve të PDK-së se që nga themelimi i kësaj partie në Prizren, kam qenë pjesë e kësaj partie, ndërsa nga viti 2001e deri më 2007 koordinator i degës. Nga viti 2017 anëtar i Këshillit Drejtues në nivel qendror, ku edhe sot jam pjesë e këtij këshilli. Andaj, arsye për këtë shkrim të shkurtër janë rrjedhat, përkatësisht ngjarjet që po ndodhin në PDK në Prizren dhe nëndegët e saj.

SË PARI – prej se është shpallur fitorja, përkatësisht kur kryetari i PDK-së në Dega në Prizren, u ul në ulësen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Dega e PDK-së në Prizren, pothuajse u shua në Prizren. Përjashto këtu një takim promovues të kryetarit të komunës me stafin e tij, në Parkun e Qytetit, ku pjesërisht dhe në mënyrë selektive janë ftuar strukturat e PDK-së në Prizren. Gjithsesi ky tubim, nuk mund të konsiderohet si takim me struktura të PDK-së, ku kryetarët nëndegëve, apo struktura tjera mund t’i qanin hallet me kryesinë e degës, apo edhe me kryetarin.

SË DYTI – nëndegët e PDK-së dhe strukturat tjera, që nuk kanë qasje në komunë, kanë mbetur të papërfillshëm, të injoruar dhe të nënçmuar nga partia e tyre.Ka raste kur një kryetari i një nëndege, me javë të tëra kërkon për t’u takuar me kryetarin, apo me kryesinë inekzistente dhe nuk i mundësohet. Madje ata nuk pranohen as nga zyrtarët komunalë, që i përkasin këtij subjekti politik, i cili i ka fituar votat për ta udhëhequr Prizrenin, por e ka humbur besimin në strukturat e veta, që ia mundësuan kryetarit, zyrtarëve tjerë, e në veçanti injorantëve dhe atyre që deri në fund të fushatës jepnin deklarime kundër fitores së PDK-së në Prizren.

SË TRETI – askush nga radhët e PDK-së, që janë rehatuar me pozitat që i kanë marrë nuk po interesohen për ata njerëz të cilët deri në balotazh kanë shkuar zhagas për të fituar PDK-ja dhe tash në mënyrën më të shëmtuar injorohen, përbuzen dhe nuk i kushtohet as një minutë kohë për të biseduar me ta. Ata që kanë bërë më së shumti për PDK-në për t’u rikthyer në komunë, nuk e bënë asnjë hap për qëllime personale.Nuk i kërkuan asgjë kryetarit, e besoj as tash nuk do t’i kërkojnë. Por të paktën t’u mundësohet ndonjë takim, ku ata pos tjerash edhe do t’i japin sugjerimet e tyre për suksese më të mira të qeverisjes së PDK-së.

Dega e PDK-së, apo më mirë kryetari i kësaj dege,që tani pasi u bë kryetar i komunës, mendon vetëm për ata që i ka afër, t’ua sigurojë punësimin e ilakeve, të afërmeve, mbesave, nipërve, kushëri e akraba tjerë, në mënyrë që t’i shërbejnë atij sa më mirë dhe t’i mbajnë sa më larg strukturat e PDK-së.

SË KATËRTI – PDK, Dega në Prizren, ka nevojë më shumë për strukturat e saja tash në pozitë se sa deri dje sa ishte në opozitë. Këshillat, debatet e sinqerta, do ta ndihmojnë qeverisjen e mirë, do t’i eliminojnë pakënaqësitë. Së fundi do ta informojnë kryetarin e degës se çfarë opinioni kanë qytetarët për qeverisjen e PDK-së.Çfarë po flitet, çfarë po thuhet…..? Pa opinion e qytetarëve nuk ka qeverisje për qytetarë, nuk ka përkrahje, asnjë iniciativë e asnjë projekt.

SË PESTI- nëse të gjitha subjektet politike në Prizren kanë shkuar në pushime vjetore nga korriku e deri në fund të gushtit, PDK-ja, Dega në Prizren ka shkuar që nga dhjetori i vitit 2021 e siç po duket vështirë se do të kthehet nga pushimi as atëherë kur ka nevojë për zgjedhje.

SË GJASHTI -në kohë zgjedhje as që mund të lajmërohet se ekziston si subjekt politik, sepse veprimet që është duke i ndërmarrë, duke i injoruar e duke i anashkaluar strukturat. Është lehtë t’i fitosh zgjedhjet, por është “zor”ta ruash e ta menaxhosh fitoren. Fitorja nuk mbahet, nuk ruhet, duke treguar “vica”, duke i etiketuar njerëzit. Për mos asgjë tjetër, të paktën se për zgjedhje të nevojiten përsëri.

Kam dëgjuar me dhjetëra pakënaqësi nga kryetarë të nëndegëve, që nuk po kanë mundësi për takim. Athua ata për vete duan të takohen, apo ta arsyetojnë punën dhe angazhimin e tyre nëpër lagje e nëpër shtëpi ku kanë trokitur. Tash është radha, që të dëgjohet zëri i atyre, që vrapuan e punuan. Sepse nëse fjala e tyre është besuar gjatë zgjedhjeve, do të respektohet edhe pas zgjedhjeve, nëse duhet të ruhet besimi, nëse sërish kërkon besimin PDK-ja. Apo ndoshta Dega e PDK-së, nuk është më e interesuar për zgjedhjet, që me siguri do të mbahen në nëntor 2022 e pas tri viteve edhe zgjedhjet lokale.

SË SHTATI –po supozojmë se strukturat e PDK-së i heshtin këto fakte të dhimbshme për PDK-në, çfarë do të thonë ata nga të cilët duhet kërkuar besimi. Kur PDK-ja njerëzit e vet i anashkalon, ua kthen shpinën, i injoron, i shan, i fyen, i përqesh, çfarë mund të bëjë me ne!?

Është momenti i fundit që PDK, në qendër të mendojë për këtë situatë të PDK-së në Prizren, nesër mund të jetë shumë vonë.

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.