26-04-2024

Çfarë rezultati kanë shkollat e Prizrenit në Testin e Maturës?

Ndonëse maturantët e dy shkollave private të Prizrenit prijnë sa i përket rezultateve të treguara në Testin e Maturës shtetërore 2018,  krahasuar me numrin disa herë të madh të nxënësve që kanë shkollat publike, sidomos Mjekësia, kësaj radhe diferenca në sukses nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Referuar të dhënave zyrtare, del se kalueshmërinë më të mirë e kanë nxënësit e gjimnazit “Loyola” të cilët kanë arritur rezultatin 100 % , pasi të gjithë 128 nxënësit që kanë hyrë në provim, në afatin e qershorit e kanë kaluar atë.

Pas saj vjen kolegji “Mehmet Akif” që ka kalueshmërinë 97.92 %. Nga 48 maturantë, nuk ka kaluar vetëm njëri.

Sa i përket shkollave publike, të cilat siç dihet kanë numër më të madh të nxënësve, madje deri në 45 sikur në Mjekësi, pikërisht rezultatin më të mirë apo 97 % të kalueshmërisë e ka arritur kjo shkollë. Nga 434 maturantët që iu nënshtruan testit, kaluan 421.

Në vendin e dytë rangohet, shkolla e muzikës “Lorenc Antoni”, me  96.30  %.  Këtu nga 27 vetëm njëri nuk kaloi.

Pas tyre, shkollat tjera kanë treguar këtë sukses: Qendra e Kompetencës  94 %, pastaj Gjimnazi “Gjon Buzuku” me 91 %.  Medreseja “Alauddin” ka arritur  92 % , pasi nga 65 nxënës kanë kaluar 60.

Numrin më të madh të nxënësve,  656 sosh në Testin e Maturës e ka pasur shkolla “Gjon Buzuku” , ndërsa kanë kaluar 600.

Rezultate më të dobëta, ndërkaq ka shkolla teknike, që ka kalueshmërinë  39.81 %.  Nga 314 nxënësit që i janë nënshtruar testit, në afatin e parë në qershor, kanë kaluar vetëm 125 nxënës.

Më poshtë në tabelë i keni të dhënat për shkollat e Prizrenit. /gazetaeprizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.