Çfarë rrëfen Brendon Gigollaj nga Hasi që u rrah në Novi Sad
Ishte bashkë me Çlirim Malokun i cili ishte rrahur në Novi Sad të Serbisë. Brendon Gigollaj flet për RTV Dukagjini përmes telefonit. Ai tregon detajisht për natën kur u sulmuan.
“Kemi dalë në pije me atë shokun tim. Kur kemi dashtë me shkua në shtëpi e kam pyetur a po do në këmbë me shkua në shtëpi apo me taksi. Ai tha vetëm tregoj taksistit ku me ndalur se unë e kryej pagesën. Sapo u nisëm ata na sulmuan. Është e sigurt që ata ishin përpara dhe na kanë dëgjuar duke folu shqip. Në fillim më kanë sulmuar mua dhe më kanë humbur vetëdijen. Pastaj e kanë sulmuar edhe shokun tim, por unë nuk kamë parë çka kanë bërë. Kur kam ardhur në vetëdije e kam parë shokun tim dhe kam kërkuar ndihmë. Një femër që punon afër aty e ka thirrur policinë”, rrëfen ai.
Brendoni thotë se ndjehet i frikësuar të qëndrojë në Serbi, mirëpo nuk mund të kthehen në Kosovë pa përfunduar procedurat e gjykatës.
“Për momentin jam pak i rrezikuar dhe kam frikë, por deri të dalim në gjykatë nuk e di çka do të bëj”, thotë viktima e sulmit në Novi Sad.
Ai foli edhe për trajtimin në spital, ndërkohë thotë se akoma nuk e ndjen veten mirë me shëndet.
“Trajtimi (në spital) ka qenë korrekt. Janë sjellë shumë mirë me neve pavarësisht se ishim shqiptarë. Nuk jam shumë i lënduar, kam një varrë por po mundohem me kalua. Koka më dhemb, sepse më kanë rënë në kokë me shqelma, boksa, çfarë kanë mundur”, tregon ai.
Ndërsa vëllai i Çlirim Malokut, tha se po qëndron pranë Çlirimit në spitalin e Novi Sadit në Serbi. Ai tregoi se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.