Çfarë thuhet në ekspertizën ndaj të dy ish-drejtorëve të Drejtorisë së Financave të Komunën së Prizrenit?
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, është paraqitur plotësimi i ekspertizës, nga eksperti Agim Sheqiri, në gjykimin që po zhvillohet ndaj dy ish-drejtorëve të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit, Ertan Simitqi dhe Zenel Ahmetaj, të akuzuar për keqpërdorimi të detyrës zyrtare.
Në këtë seancë eksperti u deklarua në lidhje me plotësimin e ekspertizës sa i përket të akuzuarit Ertan Simiqi, pasi që në seancën e kaluar mbrojtja e tij kishte bërë kërkesë për plotësimin e ekspertizës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, Ertan Simiqi, avokatit Durim Nevzati, se në përpilimin e plotësimit të ekspertizës a e keni pasur kartelën e furnitorëve, eksperti deklaroi se nuk ka pasur nevojë që ta kërkoi kartelën sepse atë e ka pasur kur e ka përpiluar ekspertizën e parë, që i ka precizuar shumat për vitin 2016.
Tutje eksperti deklaroi se pagesa e autorizuar nga Ertan Simiqi, në shumën prej një mijë euro, e bërë me 21.10.2016 është bërë për reklamime televizive.
Në fund eksperti deklaroi se atij kartela e furnitorit i ka shërbyer si provë për të konstatuar se a janë bërë pagesat në llogaritë e furnitorëve dhe se kur ka verifikuar pagesat ka shqyrtuar dokumentacionin tjetër plotësues në mënyrë që sipas tij, ta vërtetoi se me të vërtetë pagesa është bërë në llogari të furnitorëve, bazuar në kontratat e nënshkruara dhe për shërbimet e ofruara.
Pas deklarimit të ekspertit, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, deklaroi se duke marrë parasysh që në sallë nuk është prezent mbrojtësi i të akuzuarit Zenel Ahmetaj, avokati Pjetër Përgjoka, shqyrtimi i sotëm duhet të shtyhet dhe i njëjti caktohet për datën 17.12.2020 në ora 10:00.
Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.
Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi