23-11-2024

Ç’fshihet pas shtrimit të Trump në spital? Deklaratat kontradiktore të mjekut të tij ngrenë dyshime

Donald Trump ndodhet në spital prej pak ditësh, pasi është infektuar me Covid-19. Dr Sean Conley, mjeku i tij personal po merret me trajtimin e presidentit dhe të gjitha mediat i kanë sytë nga ai.

Në përpjekje për të paraqitur një pamje të vërtetë të gjendjes shëndetësore të Trump këtë fundjavë, Conley është treguar paksa i paqëndrueshëm. Dy konferenca për shtyp në shkallët e qendrës mjekësore ushtarake Walter Reed të Maryland kanë ngritur shumë pikëpyetje dhe shumë njerëz po ngrenë dyshime nëse vetë Trump po kontrollon informacionin që mjeku i tij po nxjerr.

Lexo Edhe:

Haskuka tallet me kuvendaren e VV-së që denoncon keqpërdorime, i thotë shko në Prokurori!

 

Conley u emërua mjeku i Shtëpisë së Bardhë në mars të 2018-ës dhe deri të shtunën, kur Trump rezultoi pozitiv, ka mbetur jashtë vëmendjes. Por në konferencën e parë për shtyp të shtunën, disa orë pasi presidenti u transferua në spital me helikopter, Conley ishte evaziv në lidhje me pyetjet për detajet mjekësore të gjendjes së Trump, të tilla si nivelet e oksigjenit dhe ndikimi i virusit në organet e tij të brendshme. Ai bëri një portretizim optimist të shëndetit të Trump, duke përdorur fraza të tilla si: “po ia del shumë mirë” dhe “nuk ka vend për shqetësim”.

Deklarata këto që krijonin përshtypjen se gjendja e Trump ishte shumë e mirë dhe se ai mund ta linte spitalin që të hënën.

Sipas deklaratave të Conleyt të dielën, presidenti po vazhdonte të përmirësohej, por zbuloi gjithashtu se Trump kishte nevojë për oksigjen shtesë ditët e fundit. Ndërkohë që të paktën dy herë më parë ai e kishte mohuar këtë gjë.

Ai shtoi se Trump tani po merrte një ilaç të tretë – steroide dexamethasone – në krye të dozave të antiviralëve REGN-COV2 dhe remdesivir.

Dexamethasone rekomandohet vetëm për pacientët me simptoma të rënda të Covid-19.

Çuditërisht, Conley shtoi se ai dha një vlerësim optimist një ditë më parë, sepse “nuk donte të jepte ndonjë informacion që mund ta çonte ecurinë e sëmundjes në një drejtim tjetër”. Një deklaratë e paqartë.

Dyshimet se Conley po zbulonte vetëm aq sa presidenti po e lejonte, u nxitën nga raportimet se Trump ishte nxehur me Mark Meadows, shefin e tij të stafit, që u paraqiti gazetarëve të dhëna kontradiktore dhe më serioze të shëndetit të tij.

Kur do të dalë Trump nga spitali mbetet për t’u parë, por deklaratat konfuze dhe kontradiktore të Conleyt gjatë fundjavës kanë nxitur spekulimet se në mes të gjithë kësaj çështjeje ka diçka politike veçse mjekësore.

Nga ana tjetër, shumë njerëz, përfshirë edhe reperen Cardi B, po ngrenë dyshime nëse Trump është infektuar vërtet me koronavirus.

Asnjë koment

Comments are closed.