Chelsea i nxjerr në shitje 11 futbollistë, synon t’i fitojë rreth 500 milionë funte
Chelsea po përgatitet për një tjetër revolucion në afatin kalimtar të verës.
Sipas raportimeve nga Anglia, klubi londinez është i gatshëm të dëgjojë oferta për plot 11 futbollistë, me objektivin për t’i arkëtuar afro 500 milionë funte nga shitjet e tyre, përcjell “Gazeta Express”.

Pas investimeve të mëdha në vitet e fundit, drejtuesit e “Bluve” synojnë t’i balancojnë financat dhe njëkohësisht t’ia japin trajnerit mundësinë për ta rindërtuar skuadrën sipas ideve të tij.
Në mesin e lojtarëve që mund të largohen janë disa emra të njohur.
Mesfushori argjentinas Enzo Fernandez vlerësohet rreth 120 milionë funte, ndërsa Pedro Neto mund të largohet për rreth 70 milionë.
Sulmuesi Nicolas Jackson e ka një vlerësim prej rreth 65 milionë funtesh, ndërsa në listën e largimeve figurojnë edhe Malo Gusto, Trevoh Chalobah, Benoit Badiashile, Axel Disasi, Liam Delap, Marc Guiu, Emmanuel Emegha dhe David Datro Fofana.
Nëse Chelsea arrin t’i shesë të gjithë këta futbollistë për vlerat e synuara, klubi mund t’i arkëtojë afro 500 milionë funte, një shumë që do t’i krijonte hapësirë për afrime të reja dhe për t’i respektuar rregullat financiare.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse klubet e interesuara do të jenë të gatshme t’i paguajnë shumat e kërkuara nga Chelsea, pasi disa prej lojtarëve kanë kontrata afatgjata dhe paga të larta.
Pas “pazarit” të bujshëm, drejtuesit e Chelseat besojnë se skuadra është shumë e mbingarkuar.

Për këtë arsye, prioriteti tani është largimi i lojtarëve që nuk konsiderohen të paprekshëm në projektin e Xabi Alonsos.
Nëse realizohen të gjitha shitjet e planifikuara, klubi londinez mund të sigurojë të ardhura deri në 500 milionë funte, të cilat do të përdoren për ta balancuar bilancin financiar dhe për investime të ardhshme.

![]()
