23-11-2024

Cilat janë projektet kryesore që u nevojiten bujqve prizrenas?

Rehabilitimi i kanaleve të ujitjes, themelimi i kooperativave bujqësore, pastaj subvencionimi më i madh me mjete të punës, duke i përshirë edhe bletarët, prodhuesit e pemëve me fruta arrore dhe të bimëve shëruese, kanë qenë disa kërkesat e bujqve prizrenas, në dëgjimi publik të organizuar nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim rural, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Ata po ashtu kanë kërkuar edhe rehabilitimin e rrugëve fushore, hapjen e puseve për ujitjen e tokës bujqësore dhe pajisje me mjetet përcjellëse, rivlerësimin në asamble për uljen e vlerave të participimit, pastaj hapjen e pikave për grumbullimin e qumështit, krijimin e një fondi nga ana e komunës për të mbështetur bujqit në rast se prodhimi i tyre bujqësor do të shkatërrohet nga kushtet klimatike.

Zyrtarët prizrenas kanë deklaruar se dëgjimi publik me bujqit dhe fermerët e Komunës ka treguar nevojën e një aktiviteti më të shtuar për të qenë pjesë e projekteve realizuese për vitin e ardhshëm.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Për shumicën e çështjeve të ngritura, të pranishmit janë njoftuar nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Në një kumtesë të komunës, thuhet se të gjitha kërkesat do të shqyrtohen një nga një dhe në bazë të mundësisë që ka Drejtoria e Bujqësisë, gjegjësisht Komuna, ato më parësoret dhe më të realizueshmet do të përfshihen në planifikime dhe do të jetësohen.

“Bujqësia mbetet prioritet strategjik i Komunës së Prizrenit, e cila synon t’i intensifikojë dhe t’i funksionalizojë mekanizmat për prodhimtari të shtuar vendore”, thuhet në kumtesë.

Asnjë koment

Comments are closed.