16-04-2024

Çitaku reagon ndaj Haradinajt: S’kam dhënë informacione kontradiktore dhe as të selektuara në SHBA

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku përmes një postimi në Facebook ka reaguar rreth komenteve të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se “Çitaku, është vetëm ambasadore e presidentit Thaçi dhe nuk e përfaqëson Kosovën në SHBA”.

Çitaku ka shkruar se është e pa-precedent që një ambasadore në detyrë të kacafytet me kryeministrin e vet, e këtë thotë se s’do ta bëjë as ajo, transmeton Koha.net.

Ajo thotë të jetë shqetësuar nga mesazhet e shumta që kishte marrë në mëngjes.

“Sot në mëngjes u zgjova nën tingujt e qindra mesazheve që pandërprerë zhurmonin në telefonin tim. Thënë të drejtën u shqetësova pak. Kur jeton jashtë vendit dhe larg familjes, mendja gjithmonë të shkon tek më e keqja. Është tërësisht e pa-precedent që një Ambasadore në detyrë të kacafytet me Kryeministrin e vet. Sigurisht që unë nuk do të bëj asnjëherë diçka të tillë. Ne duhet të ndërtojmë kulturë të komunikimit institucional”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Çitaku thekson se asnjëherë s’ka punuar e as s’do të punojë kundër interesave të kombit.

“Sigurisht, unë nuk jam e përkryer. Nuk ka fjalë që edhe unë kam mangësi edhe si njeri e edhe si diplomate. Por asnjëherë, kurrë në jetën time, nuk kam punuar dhe nuk punoj kundër interesave të vendit dhe kombit tim. Tash e 20 vite jam e përfshirë në jetën publike. Asnjëherë, kurrë nuk kam bërë asgjë për përfitim personal apo material. Sot pas 20 vitesh, unë kam pasuri një banesë 50 metra katrorë dhe 6000 euro kursime në bankë”, ka shkruar ajo.

Çitaku thekson gjithashtu se, “nuk jam dhe nuk do të jem kurrë e shantazhuar. Mendimet e mia i them hapur dhe pa frikë nga askush”.

Ajo thotë se asnjëherë nuk ka dërguar informacione kontradiktore apo selektive.

“Nuk është faji im që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme. Por kurrë në jetën time nuk kam dhënë këshilla dashakëqija dhe kurrë në jetë nuk kam folur jashtë mandatit tim. Asnjëherë nuk kam dërguar informacione kontradiktore dhe të selektuara. Jam krenare që falë angazhimit tonë të përbashkët, gjatë mandatit tim këtu në SHBA, kemi marrë mbështetjen për transformimin e FSK në ushtri. Ka qenë një punë e gjatë mbi 2 vjeçare, dhe të gjitha janë të dokumentuara”, ka shkruar ambasadorja e Kosovës në SHBA.

Poashtu, ka shtuar ajo më tutje, më vije mirë që gjatë kësaj periudhe kemi avancuar raportin me MCC dhe jemi ndër vendet e pakta të cilit jo vetëm që nuk i është ndërprerë, por i është rritur ndihma financiare nga SHBA-ja.

“Unë kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj gjithçka në fuqinë time që ta ruaj dhe kultivoj raportin mes Kosovës dhe SHBA-së. Edhe këto ditë teksa po kalojmë momente jo të lehta në raportin tonë, kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj për të shmangur çfarëdo dëmi strukturor në relacionet mes nesh. Unë do të doja të jem aq e fuqishme sa po aludojnë disa, dhe të vendos dhe diktoj politikat amerikane. Ju siguroj, që po të kisha atë fuqi, disa gjëra do të ishin ndryshe”, ka thënë Çitaku. “Sigurisht, diskrecioni që kërkon detyra ime, dhe edukata personale nuk më lejon t’i them të gjitha në këtë platformë”.

Ajo thotë se Haradinaj është kryeministri i saj dhe është nder për të jetë ambasadore.

“Unë jam Ambasadore e Kosovës. Dhe Ramush Haradinaj është kryeministri im. Të jem ambasadorja e juaj ne Ëashington DC është nderi i jetës sime”, ka shkruar ajo.

Asnjë koment

Comments are closed.