Çka deklaroi dëshmitari në rigjykimin ndaj ish-inspektorit të tregut në Prizren

Ish-inspektori i lojërave të fatit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Shemsi Shala ka deklaruar se nuk kanë pasur mjete për matjen e largësisë së objekteve, por se atë e bënin përmes shikimit apo Google Maps, duke shtuar se nuk kishin bërë matje me metër apo hapa, por me sy kishin vërejtur në afërsi minaren e xhamisë.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e rigjykimit ndaj ish-inspektorit të tregut, Fatmir Gashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi akuzohet se në gusht të vitit 2014, si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Për këtë vepër Gjykata Themelore në Prizren, me 6 mars 2020, e kishte liruar nga akuzua ish-Inspektorin Gashi me arsyetimin se nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer një vepër të tillë, por pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim.

Dëshmitari Shala në seancën e së premtes ka thënë se ai, si inspektor i lojërave të fatit, ka përpiluar raport për vizitën e bërë tek objekti “Game Plus”, dhe të njëjtin e ka dorëzuar në ATK.

“Ne si inspektorë përpilojmë raportin dhe e dërgojmë tek ATK-ja, te shefi i departamentit i cili në bazë të raportit e bënë vendimin për refuzim apo aprovim të kërkesës”, ka thënë Shala, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuari Gashi, avokatit Sender Morina, se a keni marrë vendim për refuzimin e kërkesës.

Dëshmitari Shala ka thënë se ai gjatë vitit 2017 ka bërë inspektimin e pikës së lojërave të fatit “Game Plus” dhe pasi që kishte dalë në terren, sipas mendimit të tij, largësia mes pikës së lojërave të fatit dhe xhamisë nuk e ka pasur distancën e kërkuar me ligj.

Ai tha se matja ishte bërë përmes vijës tokësore, sipas tij kjo matje ishte bërë përmes veturës dhe jo përmes ecjes fizike.

Sipas tij, matja e largësisë nga objektet kulturore dhe fetare, përmes Google Maps, nuk parashihet me ligj, pasi që ligji nuk e precizon mënyrën e matjes, por thotë se duhet të dalin në teren për të bërë shikimin vizual.

Duke u përgjigjur në pyetjen kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Raima Elezi, dëshmitari Shala deklaroi se nuk i kujtohet se a kanë pasur ndonjë vendim administrativ se si të bëhet matja e largësisë së objekteve.

Ai ka thënë se së bashku me kolegët e tjerë, ditën kur e ka bërë inspektimin, kanë përpiluar një raport në të cilin kanë konstatuar që largësia në mes të objektit në mes xhamisë dhe pikës se lojërave të fatit nuk ka distancë prej 500 metra, sipas tij, nuk e ka plotësuar kriterin për ushtrimin e veprimtarisë së lojërave të fatit sipas ligjit.

Ndërkaq duke u përgjigjur në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Teuta Krusha, se kush e lëshon lejen për vazhdimin e veprimtarisë së lojërave të fatit, dëshmitari deklaroi se një gjë të tillë e bënë ATK, me seli në Prishtinë.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me  28 prill 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /BetimipërDrejtësi