05-05-2025

Çmimet “turistike” në zemër të Prizrenit: A po bëhet luks “Shatërvani”?!

Një rritje e ndjeshme e çmimeve është vërejtur së fundmi në qendrën e Prizrenit, duke përfshirë produktet më të konsumuara ditore nga qytetarët dhe turistët. Një makiato e vogël, që deri dje kushtonte 1 euro, tani ofrohet për 1.20 euro, derisa një çaj i ngrohtë në filxhan të thjeshtë, diku shitet me 1.40.

Po ashtu, janë shtrenjtuar edhe pijet freskuese, ndërsa një lugë akullore në disa vende ka arritur çmimin deri në 2 euro, shifra këto që deri vonë lidheshin vetëm me qendrat e mëdha të rajonit, shkruan portali Gazeta e Prizrenit.

Kjo ka shkaktuar edhe reagime të shumë banorëve ndaj kësaj situate, duke e quajtur shtrenjtimin të pajustifikuar dhe të papërballueshëm për standardin lokal.

Për shumë qytetarë, kjo nuk është vetëm çështje çmimi, por e drejtës për qasje në hapësira publike. Shumë prej lokaleve në qendër shfrytëzojnë trotuaret dhe sheshet publike për tavolina dhe karrige, duke e kufizuar lirinë e lëvizjes për kalimtarët – një praktikë ku përfitohet nga hapësirat e përbashkëta, por pa kthyer mbrapsht në formë shërbimi apo çmimesh të arsyeshme.

Reagime nga qytetarët, kërkohet ndërhyrje nga institucionet

Në rrjete sociale janë shtuar ankesat e qytetarëve që po përballen me këtë “valë të shtrenjtimit”, ndërkohë që standardi jetësor në qytetin që pretendon t’i emitojë metropolet,   mbetet i ulët. Madje, janë paralajmëruar edhe protesta për të kundërshtuar këtë trend të çmimeve të larta që po i largojnë banorët nga vetë qendra e qytetit të tyre.

Vërtet ndodhi shtrenjtimi i rrymës, por zbriten çmimet e naftës, që ndikojnë në transportin e  shumë artikujve. Shtrenjtimet disa i shohin si “modë” që aplikohet në prag të fillimit të sezonit turistik dhe rikthimit të mërgatës për pushime?!

Në një reagim publik, Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve e Prizrenit, kërkoi nga bizneset që të reflektojnë pozitivisht në formimin e çmimeve. Në të kundërtën, është paralajmëruar që do t’i kërkohet Komunës të rishikojë kontratat e dhënies së lejeve për shfrytëzimin e hapësirave publike, dhe që këto hapësira t’u kthehen qytetarëve./ Gazeta e Prizrenit /

 

Asnjë koment

Comments are closed.