COVID-19/ Shqipëria dhe Kosova, vendet me më pak teste në Ballkan!
Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirusin e ri.
Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, deri më 28 prill, Serbia ka testuar mbi 7,700 persona në një milion banorë, Kroacia rreth 8,000 persona, Bosnjë e Hercegovina mbi 8,000, Maqedonia e Veriut rreth 7,300 dhe Mali i Zi ka testuar 8,100. Kosova nuk figuron në këtë ueb-faqe, por sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Kosova ka mbi 1,7 milion banorë dhe 6,955 teste, që i bie se janë testuar mbi 3,970 persona në një milion banorë.
Më keq thotë REL qëndron Shqipëria, me 2,603 persona të testuar në një milion banorë. Ndërkaq, mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, thotë se numri i mostrave varet nga numri i testeve që janë në dispozicion. Kosova nuk ka mundësi të prodhojë teste dhe varet nga importi, por Raka thotë se është shumë vështirë furnizimi me to për shkak të kërkesës së madhe globale për këtë produkt. / Top Channel