21-05-2024

Crvena Zvezda ia ndalon portierit të saj të vijë në Kosovë

Sipas portalit izraelit “One”, menaxhmenti i Crvena Zvezda një muaj më parë ka vendosur që Omri Glazer të mos lejohet të udhëtojë në Kosovë. Arsyeja është se skuadra e futbollit izraelit do të luaj ndeshjen kualifikuese kundër Kosovës më 12 nëntor në Prishtinë, nga ora 20:45, transmeton FrontOnline.

Siç është zbuluar për portalin “One”, Crvena Zvezda ka frikë për jetën e portierit, pas konfliktit në Banjska.

Trajneri i Crvena Zvezdës, Barak Bahar, vendosi të mos merret me këtë temë, pasi është i fokusuar në ndeshjet e skuadrës në kampionatin vendas dhe në Evropë. Skuadra serbe luan një ndeshje kundër TSC në Marakana  dhe të shtunën më 4 nëntor presin Radnikun.

Pyetje e madhe është se si do të reagojë UEFA ndaj ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit, sidomos për çështjen e sigurisë dhe luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas portalit “One”, vetë Omri Glazer është gati t’i përgjigjet thirrjes së trajnerit dhe të qëndrojë në portë të Izraelit për ndeshjen në Prishtinë. Ai kërkon të jetë portieri i parë i kombëtares, pasi nëse nuk shfaqet, portieri i Bayernit të Munihut Daniel Perec do të mbronte portën e Izraelit.

Sipas izraelitëve, situata është shumë komplekse dhe do të sqarohet vetëm javën e ardhshme, pas ndeshjes me Leipzig në Champions League, kur vendimin përfundimtar duhet ta marrin zyrtarët e Crvena Zvezdës, por edhe portieri izraelit.

Ekipi i futbollit i Izraelit do të presë në Hungari ndeshjet kualifikuese të Europës, pasi nuk mund të luajë në vendin e vet për shkak të luftës. Në stadiumin “Pancho Arena” në Fulcut do të luhen ndeshjet kundër Zvicrës (15 nëntor) dhe Rumanisë (18 nëntor).

Asnjë koment

Comments are closed.