Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, e akuzuara Nazire Abdyli është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën se ka vrarë kunatën e saj, S.D. në fshatin Kuk të Dragashit, derisa i dëmtuari Selam Abdyli ka deklaruar se motra e tij nuk është trajtuar mirë.
Këtë deklaratë, Abdyli e ka dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Veprën unë e kam pranu që më ka ra prej duarve, por me rreh unë nuk e kam rreh shumë veç dy herë. I kam ra qetu dy herë lëndime të lehta, për mos me u çu ajo prej vendit.. Po e pranoj që e kam rreh që i kam ra dy-tri herë, a jo për me pranu që e kam myt ose që i kam ra në kry”, ka thënë e akuzuara Abdyli.
Po ashtu, në këtë seancë në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar dëshmitari Selam Abdyli, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarës Abdyli ka treguar se motra e tij, tanimë e ndjera S.D. ka jetuar bashkë me viktimën dhe se viktimës S.D. gjithmonë i ka munguar ushqimi dhe pastërtia.
Ai ka pohuar se e akuzuara Abdyli i kishte kërkuar ndihmë për t’u kujdesur për motrën e tij 2-3 muaj para se të ndodhte rasti.
Ndër të tjera, dëshmitari Abdyli ka treguar se pas luftës gjendja e saj shëndetësore ka qenë e dobët dhe asnjëherë nuk është vizituar te mjeku.
Tutje, ai tha se ka prishur raportet me familjen e të akuzuarës pasi e motra e tij kishte jetuar në kushte të vështira.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 18 tetor 2023.
Më 13 korrik 2023, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Nazire Abdylit, se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes-motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës Nazire Abdyli.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Abdyli, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi më 26 dhjetor 2022, vdes viktima S.D.
Për këto veprime, Abdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KRPK-së.
S.D”, e cila u gjet pa shenja jete më 27 dhjetor 2022 në fshatin Kuk të Dragashit.
Për këtë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 29 dhjetor 2022, ka publikuar raportin “Edhe S.D., vritet në duart e shtetit“, ku thuhet se ka pasur një zinxhir të dështimit për mbrojtjen e S.D. Pas raportit dhe emisionit, Avokati i Popullit, më 31 janar 2023, njoftoi se kanë nisur hetime sipas detyrës zyrtare për këtë rast.
“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdekë. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdes”, kishte thënë ajo. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.