Daka: Me presidentin biseduam për mbajtjen e zgjedhjeve dhe buxhetin
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, dhe presidenti Hashim Thaçi, sot diskutuan për afatet kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve dhe buxhetin, raporton Gazeta Express.
Mëngjesin e sotëm Daka e Thaçi mbajtën takim në të cilin u diskutua mundësia e shkuarjes në zgjedhje. Pas takimit, Valdete Daka u prononcua për media.
“U diskutua për afatet kushtetuese në qoftë se mbahen zgjedhjet. Ato janë çështje që diskutohen pasi të shpallen zgjedhjet. Nëse shpallen KQZ-ja kërkon mjetet e nevojshme nga qeveria dhe vendoset për buxhet sepse ky muaj ka qenë vit zgjedhor dhe nuk e kemi pas buxhetin e nevojshëm”, tha Daka.
Ajo tha se nuk është folur për datën e zgjedhjeve.
“Nuk u diskutua për datë, për zgjedhjet e jashtëzakonshme ne gjithmonë kemi opsione tjera”, përfundoi ajo.
Presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.
Thaçi dhe Daka u konsultuan për hapat e mëtejshëm në rrethanat e krijuara politike, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky takim ishte i mbyllur për media.