Të shtëna me armë në Blaq të Dragashit, ndalohet i dyshuari
Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në fshatin Blaq të Dragashit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 09.09.2026, rreth orës 15:00.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës dhe një video-incizimi lidhur me rastin, ku ka identifikuar dhe ndaluar të dyshuarin.![]()
Me urdhër të prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, por nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është duke u hetuar.





