24-11-2024

Dalin detajet e subvencionimit të librave për vitin shkollor 2024/2025

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka zhvilluar mbledhje me drejtorët komunalë të Arsimit, më 13.08.2024. Njëra nga temat që është diskutuar në këtë mbledhje ka qenë për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2025.

Sipas drejtorit të Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka dhe atij të Suharekës, Remzi Bajselmani të cilët morën pjesë në mbledhjen e ministres Nagavci, në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit do të subvencionojë blerjen e librave përmes prindërve, ashtu si vitin e kaluar – 2023.

Pas mbledhjes me ministren Nagavci, drejtori Bajselmani ka thënë për KALLXO, se në mbledhje u diskutua edhe shuma që do të subvencionohet për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 dhe ata të klasave 6 – 9 për blerjen e librave. Sipas drejtorit Bajselmani, prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 për blerjen e librave do të subvencionohen me 80 euro, ndërsa prindërit e klasave 6 – 9 do të subvencionohen me shumën prej 110 eurosh.

Edhe në vitin shkollor 2023/2024 Ministria e Arsimit ka subvencionuar blerjen e librave duke ua transferuar paratë për blerjen e librave prindërve përmes platformës online e-Kosova. Ndryshe nga viti shkollor 2023/2024, këtë vit Ministria e Arsimit ka ndryshuar formën e subvencionimit për nxënësit e klasave 6 deri 9, të cilët vitin e kaluar ishin subvencionuar vetëm për blerjen e mjeteve mësimore, por jo edhe për blerjen e librave./ Kallxo

Asnjë koment

Comments are closed.