23-11-2024

Danke für alles!

Sot është një ditë e veçantë për Prizrenin dhe komunat përreth. Largimi zyrtar i ushtarëve gjermanë të KFOR-it nga ky qytet, do të sjellë një ditë emocionale për prizrenasit,  të cilët kujtojnë më krenari kontributin e paqeruajtësve gjerman të cilët largohen pas një misioni të suksesshëm e krenar,  shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Pas një qëndrimi prej gati dy dekadash në Prizren, 4 tetorin, pikërisht në festën e bashkimit të Gjermanisë, kontingjenti gjerman e ka caktuar të ndahet nga qyteti, ku qëndroi nga 12 qershori i vitit 1999. Hyrja e ushtarëve gjerman në Prizren do të mbetet një datë e veçantë në historinë e re të qytetit historik dhe në kujtesën e njerëzve që përjetuan atë ngjarje të paharrueshme. Ajo shënon fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë edhe në këtë pjesë të vendit, duke hapur një kapitull të ri, një epokë të re të zhvillimit, përparimit dhe dinjitetit e barazisë qytetare.

Por, pas më shumë se 19 vjet qëndrimi,  KFOR-i ashtu siç është pritur do të përshëndetet me qytetarët. Për këtë në qendrën e Prizrenit, në sheshin “Shatërvan”, në orën 16:00, do të organizohet një parakalim lamtumirës nga Bundesweri.

Komandanti i kontingjentit të 50-të gjerman të KFOR-it,  nënkolonel Eric Offermann, ka thënë se kjo do të jetë hera e fundit kur ushtarët gjermanë në numrin më të madh, do të jenë në qendrën e Prizrenit.  “Ne e kujtojmë me kënaqësi qëndrimin tonë në Prizren. Ndihemi krenarë mbi të arriturat të cilat i realizuam bashkë me banorët, e kësaj treve. Jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj të mrekullueshme gjatë gjithë këtyre viteve. Andaj edhe tërhiqemi pa dëshirë nga Prizreni, mirëpo me bindje se misioni ynë ushtarakë është përmbushur plotësisht”, ka thënë ai.

Offermann ka thënë se shumë ushtarëve gjermanë, qyteti i Prizrenit do t’u mbetet gjithmonë në kujtimet më të mira.  Edhe drejtuesit tjerë të KFOR-it gjerman në Prizren, gjatë ceremonive të ndërrimit të komandës,  disa herë kanë vlerësuar lidhjen e ngushtë miqësore të vendësve me ushtarët. Për këtë pas përfundimit të misionit, shumë ushtarë e oficerë janë rikthyer në Prizren, si vizitorë, në shenjë respekti për qytetin dhe qytetarët.

 Pjesëtarët gjermanë të KFOR-it kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në rajonin e Prizrenit,  jo vetëm në kontekstin e sigurisë, pas largimit të forcave serbe, por ata kanë ndihmuar edhe në krijimin e kushteve për kthimin e popullatës së shpërngulur nga lufta. Kontributi i tyre nuk harrohet edhe sa i përket ndihmës në strehim në fazën emergjente, sidomos në dimrin e parë të pasluftës, ku kanë ndihmuar shumë zona të thella malore, në të cilën atëkohë mungonin edhe rrugët. Ata kanë ndihmuar shumë familje me ushqim, dhe ndihma mjekësore. Një punë e pamohueshme është bërë edhe sa i përket deminimit.

Rezultate imazhesh për kfori ne Prizren

Nënkoloneli Offermann, ka thënë se përkundër largimit të ushtarëve nga Prizreni, Gjermania përmes “Parkut të Inovacionit”, edhe më tej do ta vazhdojë kontributin e saj për zhvillimin e rajonit të Prizrenit.

Për prizrenasit, largimi i KFOR-it gjerman përbën një lajm të keq, por edhe të gëzuar.  Në njërën anë kujtohet ndihma e madhe e ushtarëve gjermanë, e në tjetrën është gëzim, pasi ky largim tregon përparimin e bërë në Kosovë dhe tashmë, fokusimin në zhvillimin ekonomik të saj.

Ndryshe, ushtarakët gjermanë largohen nga rajoni i Prizrenit, duke lënë pas një kontribut të madh në shumë fusha. Përshtypjet për ta, që janë ndër më të mirat, do të mbeten gjatë në kujtesën e prizrenasve.

Për brezat më të rinj, në shenjë respekti dhe kujtimi për kontributin e Bundesverit në Prizren, rekomandojmë që në Kampin Fushor të ngrihet një Monument për misionin e tyre.

Danke für alles! Danke Deutschland. (Faleminderit për gjithçka!). /GazetaePrizrenit.net/

Rezultate imazhesh për clirimi i prizrenit

P.S
Fotot nga hyrja dhe aktivitetet e ushtarëve gjermanë në Prizren

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.