24-11-2024

Debat interesant publik për Rregulloren e re të Orarit të Punës për biznesin në Prizren

Sot në sallën e Kuvendit të Prizrenit është mbajtur debati publik ku është diskutuar lidhur me “Rregulloren për Orarin e Punës së subjekteve afariste, hoteliere, zejtare dhe shërbyese në komunën e Prizrenit”, organizuar nga drejtoria e Turizmit.

Pjesë e këtij tubimi ishin përveç zyrtarëve komunal edhe pronarë dhe përfaqësues të bizneseve prizrenase. Drejtoresha e Turizmit, Sevil Kazaz, tha se kjo propozim-rregullore ka për synim t’i nënshtrohet një debati konstruktiv, dhe ndikon në hartimin e një rregulloreje të pranueshme për të gjithë.

Pas leximit të propozim- rregullores nga zyrtarët e kësaj drejtorie, në emër të Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit, asaj “ Esnaf” dhe “ Sofra”, ka folur Sami Dida, i cili tha se këto shoqata kërkojnë nga organet komunale rishikimin e përmbajtjes aktuale të propozim-rregullores për orarin e punës së subjekteve afariste, hoteliere, zejtare dhe shërbyese të kësaj komune. Sipas tij, shoqatat janë të pajtimit që të miratohet një rregullore për orarin e punës së subjekteve afariste, por se kërkojnë që ky akt të jetë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tregut aktual. Por, kjo propozim-rregullore është kundërshtuar fuqishëm nga pronarët e sallonave të dasmave.

Gjithashtu, edhe pjesëmarrës tjerë patën vërejtjet e tyre për orarin e punës së tregjeve dhe lokaleve afariste si dhe rreth asaj se a duhet të punojnë ato apo jo gjatë ditëve të festave shtetërore.

Zyrtarët komunal, thanë se komisioni i përbarë nga 13 anëtarë të të gjitha drejtorive komunale do të shqyrtojnë kërkesat dhe sygjerimet e dhëna nga ky debat, dhe më pas draftrregullorja do të dorëzohet në Kuvend për shqyrtim si dhe do t’i dërgohet ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.