27-04-2024

Prokuroria ngrit aktakuzë për projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur”

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë në rastin e projektit “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Aktakuza ka të bëjë me pesë (5) persona:  A.S., si person zyrtar përkatësisht si menaxher i projektit “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, R.M., M.B., H.P., dhe D.M., si persona zyrtar në cilësinë e Organit mbikëqyrës të punimeve në këtë projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur” për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur, që ka nisur në vitin 2010,  por ende nuk është funksionalizuar, me gjithë faktin që për këtë investim kapital janë shpenzuar rreth 1.3 milionë euro.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se në periudhën kohore tetor 2009 në vazhdimësi deri me 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për operatorin ekonomik përkundër asaj se punimet në pozicionet e caktuara nuk janë kryer, dhe atë në vlerë totale prej 962,387.95 euro, si dhe pranimi teknik i këtij objekti akoma nuk është bërë dhe nuk është lëshuar për shfrytëzim.

Me këto veprime, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në  barrë./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.