28-11-2024

Dëgjimi i dëshmitarit të pestë në rastin ndaj Salih Mustafës, përsëri kalohet në seancë private

Gjatë dëgjimit të dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Salih Mustafës, me kërkesë të prokurorit Filip Deminqes, për të tretën herë është kaluar në seancë private. 

Pas kthimit nga seanca private e dytë, dëshmitari është pyetur se a e njihte personin me emrin Agron Xhemajli, se a ishte pjesë e UÇK-së dhe se çfarë roli kishte ai në UÇK. Lidhur me këtë, dëshmitari deklaroi se nuk e dinte saktë rolin e tij, por siç tha ai, Agron Xhemajli ka qenë udhëheqës i policisë ushtarake.

Dëshmitari i njohur me kodin W04603 ka filluar dëshminë e tij sot, por pjesa më e madhe e seancës është duke u mbajtur e mbyllur për publikun, , raporton “Betimi për Drejtësi”.

(Përditësuar, ora 11:41) – Nis dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Salih Mustafës, për të dytën herë kalohet në seancë private  

Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i cili po akuzohet për krime lufte.

Në fillim të seancës, gjykatësja Mappie Feld-Foglia ka njoftuar se dëshmitari është propozuar të dëgjohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe se do të jetë i njohur me kodin W04603.

Dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë e tij me marrjen në pyetje nga prokurori Filip Deminqes, i cili për të dytën herë ka kërkuar që të kalohet në seancë private, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i cili po akuzohet për krime lufte.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021, gjatë së cilës seancë ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.