Shkruan: Qazim Morina
Edhe një përvjetor po kalon pa ndryshime nga të mëparshmit, sa i përket ngritjes së shtatores për komandant “Drinin”.
Përkundër disa paralajmërimeve për ngritjen e tij, monumenti mungon edhe në përvjetorin e 20-të të vrasjes misterioze.
Oficeri i karrierës Ekrem Rexha, komandant i UÇK-së, drejtues i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së, ishte intelektual i vërtetë, magjistër i shkencave, kandidat për doktoratë në Universitetin e Kanadasë, njohës i shtatë gjuhëve botërore.
Prizrenasit e quajtën çlirimtar të qytetit.
Përkundër premtimeve për bërjen e Prizrenit me monumentit kushtuar kontributit të tij, kjo nuk është realizuar, ndonëse Komuna e Prizrenit kohë më parë ka njoftuar për finalizimin e kontratës, që ka të bëjë me ndërtimin e Memorialit kushtuar ish-komandantit, të cilin prizrenasit e kanë dashur dhe ruajnë respekt të madh për të.
Megjithatë, në mungesë të saj, familjarët, bashkëluftëtarët, autoritetet lokale si dhe qytetarët kanë mundur ta vizitojnë vetëm varrin e Drinit, në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.
Ndonëse ky është përvjetori i tretë që shënohet, derisa menaxhimin e pushtetit e ka ish-opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje, shtatorja e premtuar nuk u ngrit.
Derisa ishte në opozitë, pushteti aktual ka bërë shumë kritika e premtime, duke potencuar vazhdimisht mungesën e shtatores, si dhe duke akuzuar ish-qeverisjen PDK-AAK, që kah fundi i mandatit i kishte paraparë mjetet në buxhet për memorialin.
Pra, kaloi edhe dekada e dytë nga vrasja, ndërsa Prizrenit i mungon një monument kushtuar simbolit të çlirimit të qytetit.
Referuar njoftimeve nga Komuna, hapësira e paraparë prej 1.400 m² për vendosjen e Memorialit për komandant Drinin, gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës (“Shtëpia e Bardhë).
Shpresojmë që së paku sivjet, të nisë konkretizimi i projektit të munguar, në mënyrë që përvjetori i ardhshëm, ta gjej Prizrenin me shtatoren e çlirimtarit, komandant “Drinit”, pjesë e luftës heroike dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e që me angazhimin e tij pas luftës, krijoi një imazh të shkëlqyer edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë. / GazetaePrizrenit.net /