Dekadat pa shtatoren e komandant “Drinit”- Çlirimtarit të Prizrenit

Shkruan: Qazim Morina

Edhe një përvjetor po kalon pa ndryshime nga të mëparshmit, sa i përket ngritjes së shtatores për komandant “Drinin”.

Përkundër disa paralajmërimeve për ngritjen e tij, monumenti mungon edhe në përvjetorin e 20-të të vrasjes misterioze.

Oficeri i karrierës Ekrem Rexha,  komandant i UÇK-së, drejtues i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së, ishte intelektual i vërtetë, magjistër i shkencave, kandidat për doktoratë në Universitetin e Kanadasë, njohës i shtatë gjuhëve botërore.

Prizrenasit e quajtën çlirimtar të qytetit.

Përkundër premtimeve për bërjen e Prizrenit me monumentit kushtuar kontributit të tij, kjo nuk është realizuar, ndonëse Komuna e Prizrenit kohë më parë ka njoftuar për finalizimin e kontratës, që ka të bëjë me ndërtimin e Memorialit kushtuar ish-komandantit, të cilin prizrenasit e kanë dashur dhe ruajnë respekt të madh për të.

Megjithatë, në mungesë të saj, familjarët, bashkëluftëtarët, autoritetet lokale si dhe qytetarët kanë mundur ta vizitojnë vetëm varrin e Drinit, në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Ndonëse ky është përvjetori i tretë që shënohet, derisa menaxhimin e pushtetit e ka ish-opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje, shtatorja e premtuar nuk u ngrit.

Derisa ishte në opozitë, pushteti aktual ka bërë shumë kritika e premtime, duke potencuar vazhdimisht mungesën e shtatores,  si dhe duke akuzuar ish-qeverisjen PDK-AAK, që kah fundi i mandatit i kishte paraparë mjetet në buxhet për memorialin.

Pra, kaloi edhe dekada e dytë nga vrasja, ndërsa Prizrenit i mungon një monument kushtuar simbolit të çlirimit të qytetit.

Referuar njoftimeve nga Komuna, hapësira e paraparë  prej 1.400 m² për vendosjen e Memorialit për komandant Drinin, gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës (“Shtëpia e Bardhë).

Shpresojmë që së paku sivjet, të nisë konkretizimi i projektit të munguar, në mënyrë që përvjetori i ardhshëm, ta gjej Prizrenin me shtatoren e çlirimtarit, komandant “Drinit”, pjesë e luftës heroike dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e që me angazhimin e tij pas luftës, krijoi një imazh të shkëlqyer edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë. / GazetaePrizrenit.net /