24-04-2024

Deklarohen të pafajshëm katër të akuzuarit për vrasjen mizore në Suharekë

Në Gjykatën Themeloren në Prizren, të mërkurën, të akuzuarit Murat Ademi, Reshat Ademi, Resmije Bytyqi dhe Fadil Fetiu janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzës për vrasjen e A.B në mënyrë mizore në Suharekë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, të akuzuarit Ademi, Bytyqi dhe Fetiu janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar akuzat për të cilën ngarkohen, raporton“Betimi për Drejtësi”.

Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, me ç’rast prokurori Nixha ka thënë se në bazë të provave do të vërtetohet se të akuzuarit Ademi, e akuzuara Bytyqi pas marrëveshjes paraprake kanë vrarë në mënyrë mizore të ndjerin A.B.

Nixha tha se për të akuzuarin Fetiu gjatë shqyrtimit gjyqësor ka bërë ndryshimin e aktakuzës, ku i njëjti është akuzuar për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit Avdi Bytyqi, avokat Blerim Mazreku në fjalën hyrëse ka thënë se parashtrojnë kërkesë pasurore juridike dhe ka shtuar se i dëmtuari tash e 6 vite po kërkon drejtësi për djalin e tij të masakruar.

Mazreku ka thënë se nga provat të cilat do të administrohen dhe nga dëgjimi i dëshmitarëve do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale.

Të dëmtuarit Eleonit Bytyqi dhe Leonita Bytyqi në fjalët hyrëse të tyre kanë thënë se pajtohen me fjalët e prokurorit, se kërkojnë drejtësi dhe parashtrojnë kërkesë pasurore juridike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Ademi avokat Arben Ramadani në fjalën hyrëse ka thënë se në aktakuzë asnjë përshkrim nuk ndërlidhet me veprimet, rolin dhe faktet se Reshat Ademi ka kryer veprën penale sipas aktakuzës.

Ramadani ka thënë se nga provat materiale të siguruara si transkripta e telefonatave dhe hartografisë së lëvizjes së të mbrojturit të tij shihet se i njëjti është i pafajshëm.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Bytyqi, avokat Durim Nevzati ka thënë se mbrojtjen do ta orienton pikërisht në dispozitivin e aktakuzës e cila është sugjeruar sipas gjykatës së Apelit që të përshkruhen veprimet inkriminuese për të mbrojturën e tij.

Nevzati ka thënë se gjatë shqyrtimit kryesor do të vërtetohet e kundërta e pretendimit të përshkruar të prokurorit të shtetit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Fetiu, avokat Sefer Morina ka thënë se prokuroria ka bërë ndryshimin e aktakuzës me të cilën të mbrojturin e tij e ka ngarkuar me veprën penale të dhënies së ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas Morinës kjo gjykatë dy herë radhazi ka vendosur me aktgjykim dënues ndaj të mbrojturit të tij, sipas tij mungesa e provave, shkelja e procedurës dhe mosvërtetimi i gjendjes faktike ka bërë që Apeli ta kthej këtë çështje në pikën zero.

Po ashtu, Vertopi ka kërkuar transferimin e të mbrojturit të tij nga Qendra e Paraburgimit në Dyz në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për arsye shëndetësore, mbrojtje efektive dhe gjykim të drejtë.

Kryetarit i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit Vertopi për ndërprerjen e seancës dhe  shtuar se do të bëjë verifikimin e gjendjes shëndetësore të akuzuarit Ademit nga Qendra e Paraburgimit në Dyz.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 16 dhe 21 mars 2023.

Gjykata e Apelit, këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.