Deklarohet i pafajshëm i pandehuri për dëm KEDS-it mbi 11 mijë euro

I akuzuar nga prokuroria për veprën penale të vjedhjes së shërbimeve komunale në vazhdimësi, Xhabir Rama u deklarua i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur këtë të mërkure në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.

Rama, po akuzohet se nga data e pa vërtetuar e deri me 12 qershor 2017, si dhe nga data e pa vërtetuar e deri më 27 qershor 2017, në lokalin e tij, në Rahovec, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në mënyrë të pa autorizuar ka shfrytëzuar energjin elektrike, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës KEDS, në vlerë prej 11,577.30 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Mone Syla, i akuzuari Rama, tha se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari e mohoi fajësinë, gjykatësi Ilir Rashkaj, e njoftoi atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, i akuzuari hoqi dorë nga kjo e drejtë dhe kërkojë që të procedohet për në shqyrtim gjyqësor, ku do të ballafaqohet me palën e dëmtuar dhe dëshmitarët.

Pas këtij deklarimi, gjykatësi Rashkaj, e aprovojë kërkesën e të akuzuarit, ndërsa seancën  e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast tha se do ta caktojë gjatë muajit maj të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Gjakovë, të ngritur më 27 mars 2018, i pandehuri Xhabir Rama, akuzohet për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale në vazhdimësi”.

Rama, në dispozitivin e parë të aktakuzës, akuzohet se nga data e pa vërtetuar e deri me 12 qershor 2017, në lokalin e tij me veprimtari përpunues i plastikës, në rrugën “Xhelal Hajda” në Rahovec, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në mënyrë të pa autorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se pas kontrollit të kryer në laboratorin në Qendrën e Kalibrimit në Prishtinë është konstatuar se në mënyrë të vazhdueshme, përmes magnetit është manipuluar njehsori elektrik e me këtë ka penguar regjistrimin e energjisë elektrike të shpenzuar, me çka të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë 10,854.26 euro.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës ai akuzohet se nga data e pa vërtetuar e deri me 27 qershor 2017, në po të njëjtin lokal e tij, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në mënyrë të pa autorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Sipas aktakuzës, pas kontrollit të kryer në laboratorin në Qendrën e Kalibrimit në Prishtinë është konstatuar se në mënyrë të vazhdueshme përmes magnetit është manipuluar njehsori elektrik e me këtë ka penguar regjistrimin e energjisë elektrike të shpenzuar, me çka të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlerë 723.04 euro.

Në tërësi, prokuroria pretendon se KEDS-it i është shkaktuar dëm material nga i akuzuari në lartësi prej 11,577.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se i akuzuari ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale në vazhdimësi” nga neni 320 lidhur me nenin 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi