Deklarohet i pafajshëm polici i akuzuar për rrahjen e dy personave në stacionin policorë në Malishevë
Zyrtari policor i akuzuar për tre vepra penale, Mehdi Hoxha, në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”, dhe “lëndim i lehtë trupor”.
Pasi që me kërkesë të të akuzuarit Hoxha, aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprat për të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mos pranimi i fajësisë nga i akuzuari Hoxha u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokat Emrush Kastrati.
“Pajtohem me deklarimin e të mbrojturit tim, lidhur me pafajësinë e tij, për veprat penale që ngarkohet në aktakuza, e po ashtu kërkoj që sipas dispozitave ligjore të pajisemi me të gjitha provat të cila i posedon prokuroria”, tha avokati Kastrati.
Ndërsa i dëmtuari Safet Suka, kërkoj nga gjykata që i akuzuari të dënohet sipas ligjit, dhe i njëjti kërkon kompensim dëmi.
Këtë deklarim të të dëmtuari e mbështeti edhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit Safet Suka, avokati Ndrecë Dodaj.
“Për momentin nuk kam ndonjë deklarim të veçantë, por varësisht nga vendimi i gjykatës do të paraqesim kërkesën për kompensimin e dëmit”, deklaroi avokati Dodaj.
Pa kësaj edhe i dëmtuari Arton Suka u deklarua se kërkon nga gjykata që i akuzuari të dënohet sipas ligjit dhe kërkon kompensimin e dëmit.
Meqenëse i akuzuari Hoxha nuk e pranoi fajësinë për veprat penale, gjykatësi Njazi Morina e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij lidhur me të drejtën për paraqitjen e kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Gjykatësi Morina, seancën e shqyrtimit të dytë e caktoi me datë 3 mars 2021, në ora 13:00.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 2 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Mehdi Hoxha, me arsyetimin se i njëjti, me 25 dhjetor 2018, rreth orës 12:12 minuta, në hyrje të objektit të Stacionit Policor në Malishevë, ka kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”, dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Hoxha, me datë 25 dhjetor 2018, rreth orës 12:12 minuta, në Stacioni Policor në Malishevë, pikërisht në hyrje të objektit në cilësinë e personit zyrtar policor keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit Safet Suka.
Në aktin akuzues thuhet se për shkak të parkimit jo të rregull të veturës së të dëmtuarit Safet Suka, i njëjti ftohet në stacionin policor, ashtu që i dëmtuari së bashku me vëllain Arton Suka, hyjnë në oborrin e stacionit policor me veturë dhe më pas shoqërohen për krahu nga zyrtarë policor, ku i akuzuari Hoxha del nga kabina dhe shkëmben fjalë fyese me të dëmtuarin, ku më pastaj vrapon pas të dëmtuarit dhe e godet me shqelma në pjesë të trupit, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policor.
Për këto veprime Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të KPRK-së.
Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i akuzuari Hoxha, me kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Safet Suka, ashtu që duke hyrë tek dera hyrëse e stacionit policor, i akuzuari vrapon pas tij, e godet me shqelma në këmbë dhe pasi rrëzohet në tok i dëmtuari, i akuzuari e godet disa herë në pjesë të trupit, me çka i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin , të vërtetuara sipas ekspertizës mjeko-ligjore.
Për këto veprime Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 1, nën paragraf 1.4, të KPRK-së.
Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hoxha akuzohet se në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i njëjti në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë të dëmtuarin Arton Suka, si dhe duke e goditur me shqelma në pjesën e këmbëve, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policor.
Për këto veprime Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi