16-04-2024

Deklarohet i pafajshëm se iu shmang tatimit mbi 50 mijë euro

I akuzuari Hazir Krasniqi  është deklaruar i pafajshëm se me shmangien nga tatimi dëmtoi shtetin me 51 mijë e 399 euro.

Këtë deklarim, i akuzuari Krasniqi e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sadri Alija, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo nuk jam fajtor, jo”, është shprehur i akuzuari.

Pas deklarimit të të akuzuarit, gjykatësi Njazi Morina, e ka udhëzuar të njëjtin që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimin e provave si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Me vendim të gjykatësit Morina, shqyrtimi dytë u caktua më 14 tetor të këtij viti.

Në aktakuzën e plotësuar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se gjatë periudhës 2016, 2017 dhe 2018, i akuzuari Hazir Krasniqi gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, si pronar i subjektit “Jehona shpk”, nuk ka deklaruar grumbullimin që kishte për atë periudhë në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-222, për Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka bërë deklarimin duke iu shmangur vlerës reale të qarkullimit për periudhat verifikuese, ashtu që për periudhat 2016, 2017 dhe 2018, nga veprimi i kundërligjshëm, iu shmang tatimit bazë në shumë të përgjithshme prej 51 mijë e 399 euro.

Me plotësimin e aktakuzës, i akuzuari Krasniqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.