13-05-2024

Dekoratat që presin ndarjen nga Komuna e Prizrenit

Përfaqësues opozitar në Kuvendin Komunal (KK) të Prizrenit kanë kërkuar sqarime nga drejtuesit e këtij organi për ndarjen e çmimit-dekoratës “Remzi Ademaj”, për Dëshmorët e Komunës së Prizrenit, sipas një vendimi të marrë kohë më parë nga KK.

Kuvendari nga Nisma në Asamblenë e Prizrenit, Shukri Quni në seancën e fundit të KK-së, ka pyetur se përse nuk është bërë ndarja e tyre, meqenëse pas miratimit të vendimit kanë qenë disa ditë të shënuara historike.

KK muaj më parë pat miratuar Propozim-vendimin për ndarjen e çmimit-dekoratës “Remzi Ademaj”, ndërsa u tha se do të ndaheshin rreth 70 dekorata.

Kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi ka thënë se plani ka qenë që dekoratat të shpërndahen në fillim apo fund të tetorit, por kjo është shtyrë për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe se nuk ka preferuar të organizohet ceremoni në atë kohë.

“Nuk do të ishte korrekte të politizohej. Me gjase do të shpërndahen në ndonjë datë që ka simbolikë për dëshmorët, por nuk është caktuar diçka konkrete”, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” ai.

Në anën tjetër, për kuvendarin Quni, përgjigja e Abrashit është e paarsyeshme, kur dihet se 15 gushti, që është dita e rënies së Heroit të Kosovës, Remzi Ademajt –“Petritit”, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Pashtrikut ishte para fillimit të fushatës.

“Kam propozuar që edhe me 28 Nëntor të ndahet ndonjë dekoratë e jo të gjitha për një ditë”, thotë ai për ‘Gazeta e Prizrenit’.

Ndryshe, Kuvendi Komunal në një ceremoni të mbajtur në kontekstin e shënimit të Ditës së Çlirimit-12 Qershorit ka ndarë dekorata për disa familje të dëshmorëve./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.