Delegacioni i arbëreshëve nga Italia sot qëndroi në Kryeqytetin historik të Kosovës, në Prizren (FOTO)
Një delegacion i arbëreshëve nga Italia ka vizituar sot Prizrenin, ndërsa për nder të tij, në sallën e Kuvendit Komunal është mbajtur një mbledhje, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.
Pas kësaj, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, që ka pritur anëtarët e delegacionit, ka deklaruar se ky ishte vetëm një fillim i kontakteve , pasi arbreshët të cilët edhe pas shumë shekujsh mbajnë gjallë lidhjet me atdheun, do ta kenë derën e hapur të Komunës së Prizrenit për bashkëpunim në projekte dhe ide të ndryshme.
Në një postim në profilin e tij në “Facebook” Haskuka ka shkruar:
“Delegacioni i arbëreshëve nga Italia sot vizitoi kryeqytetin historik të shqiptarëve, Prizrenin.
Për nder të kësaj vizite, në sallën e Kuvendit Komunal mbajtëm një mbledhje, me ç’rast arbëreshët, diasporën më të vjetër shqiptare në botë, i njoftova për projektet zhvillimore të Komunës sonë.
Ky ishte vetëm një fillim i kontakteve tona, ndërkaq arbëreshët të cilët edhe pas shumë shekujsh mbajnë gjallë lidhjet me atdheun, do ta kenë derën e hapur të Komunës sonë për bashkëpunim në projekte dhe ide të ndryshme”./GazetaePrizrenit.net