Dënim ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit

Sot, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Xheladin Osmani, i akuzuari Ilir Baldedaj shpallet fajtor për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me çka u dënua me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 10 muajve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në emër të paushallit gjyqësorë, i akuzuari obligohet që të paguaj shumën prej 100 euro, si dhe 50 euro në emër të viktimave të krimit, thuhet në aktgjykim.

Gjykatësi Osmani deklaroi se pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit për dëmin e shkaktuar udhëzohet në kontest civil.

Ndryshe, më 17 dhjetor 2019, Gjykata Themelore në Prizren e kishte hudhur poshtë aktakuzën dhe e kishte pushuar procedurën penale ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Sipas aktvendimit, thuhej se provat e paraqitura edhe pse janë marrë në mënyrë ligjore,  nuk janë të mjaftueshme që të mbështetet dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale, siç ngarkohet me aktakuzë.

Mirëpo, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të gjykatës për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e Apelit e kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi, duke bërë që gjykimi ndaj tij të vazhdohej nga shkalla e parë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj akuzohet se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar ,nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare, laptop dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptop të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro. /BetimipërDrejtësi