20-04-2024

Dënim unik me 900 euro gjobë ndaj të akuzuarit për dy raste të vjedhjes së rrymës

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega Malishevë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për dy raste të vjedhjes së shërbimeve, Sabit Begaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Njazi Morina, ndaj Begajt u shqiptua dënimi unik me 900 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjyqtarit Morina, nëse dënimi me gjobë nuk do të ekzekutohet brenda 15 ditësh, i njëjti do të zëvendësohet me dënim me burgim.

Po ashtu, i akuzuari është obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 30 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 eurove.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 9 shkurt 2017, Sabit Begaj akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 1 shkurt 2016, në shtëpinë e tij në fshatin Banjë, Komuna e Malishevës, më qëllim që vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme, duke manipuluar me njehsorin elektrik, përmes gërvishtjes së numrave në numërator të njehsorit, e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas diapozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS-Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 160.76 euro.

Sipas aktakuzës, po ashtu nga data e pavërtetuar e deri më 4 mars 2016, në biznesin e tij “NTP Begaj- Comerce”, në fshatin Banjë, Komuna e Malishevës, më qëllim që vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme, duke manipuluar me numërues, ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari të dëmtuarës KEDS-Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 5.818 euro.

Me këtë, Sabit Begaj akuzohet se ka kryer veprat penale, “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.