Varrezat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në komunën e Rahovec janë dëmtuar rëndë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar dëmtimin e varrezave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Rahovecit.
“Dëmtimi i varrezave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Rahovecit është një akt i ultë dhe i papranueshëm në shoqërinë tonë shumetnike. Si president i vendit e dënoj ashpër këtë veprim të ulët dhe kërkoj nga Policia e Kosovës që ta hetojnë rastin dhe përgjegjësit t’i sjellin para drejtësisë”, shkruan Thaçi në Facebook.
Sipas Thaçit, komunitetet janë pasuri e Republikës së Kosovës.
Një akt të tillë e ka dënuar ashpër kreu i kësaj komune, Smajl Latifi, i cili ka kërkuar nga organet e rendit që zbardh këtë rast.
“E dënojmë fuqishëm dëmtimin e varrezave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas në komunën e Rahovecit. Ne qëndrojmë së bashku dhe solidarizohemi me komunitetet në Kosovë për të dënuar këtë akt të ulët të vandalizmit dhe përdhosjes”, ka shkruar Latifi në Facebook. “Distancohemi qartë nga veprime të tilla kriminale”.
Tutje ai ka shtuar se, “Kosova është vendlindja jonë e përbashkët, e harmonisë dhe bashkëjetesës, andaj çdo akt i dhunës dhe shpërfilljes së integritetit njerëzor, e dënojmë fuqishëm”.
Ai ka bërë thirrje që kryesit e këtij veprimi të dalin para drejtësisë.
“Ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti ç’njerëzor dhe autorët e këtij veprimi të turpshëm të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Latifi.