Dënohet me 100 euro gjobë dhe një muaj burgim për vjedhje të rëndë
Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të mërkurën, e ka dënuar me një muaj burgim dhe 100 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të rëndë, F. Spahia.
Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur gjyqtarja Sabaheta Kurteshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtarja Kurteshi e ka obliguar të pandehurin Spahia edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 euro në emër të fondit për mbrojtjen e viktimave të krimit.
Në seancën e së mërkurës është dëgjuar edhe fjala përfundimtare e të akuzuarit Spahia, i cili ka thënë se nuk e ndjen veten fajtor për veprën që i vihet në barrë.
Ndërsa, prokurori Shehadin Destani ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim, duke kërkuar dënimin e të pandehurit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Ndryshe, të akuzuar për këtë rast, kanë qenë edhe B. Alija dhe Xh. Zaimi, mirëpo procedura ndaj tyre është veçuar me herët.
Sipas aktakuzës së ngritur me 17 korrik 2017, nga Prokuroria Themelore në Prizren, F. Spahia akuzohet se me 21 mars 2016, rreth orës 12:00, në fshatin Shajne të Komunës së Dragashit, në bashkëveprim, me qellim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, marrin pasurinë e luajtshme te të dëmtuarit Hajredin Mustafa.
Në aktakuzë thuhet se vepra ndodh në atë mënyrë që të pandehurit e shfrytëzojnë momentin e përshtatshëm, mos prezencën e familjarëve, thyejnë derën me mjet të fortë, hyjnë brenda, demolojnë dhomat dhe marrin një televizor plazma, e me pas largohen nga vendi i ngjarjes, pa u diktuar nga askush.
Tutje, thuhet se gjatë largimit, njëri nga të pandehurit harron telefonin e tij personal, telefon ky i cili shërben si dëshmi për kryerjen e veprës penale të vjedhjes nga ana e pandehurve të lartcekur.
Me këto veprime, ata dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi