17-05-2024

Dënohet me 7 muaj burgim për prezantim të rremë si person zyrtar

Asllan Mazreku, i akuzuar për prezantim të rrem si person zyrtar, është dënuar me pesë muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Sipas aktgjykimi të shpallur të enjten nga gjyqtari Njazi Morina, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 1 viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykim e shpallur nga gjyqtari Morina, thuhet se të akuzuarit i konfiskohet edhe karta e identitetit e Agjencisë Investigative “Stop Crime”, e vitit 2013, si objekt i kryerjes së veprës penale.

I akuzuari Mazreku është ngarkuar edhe me shpenzimet procedurale në shumën prej 40 euro në emër të paushallit gjyqësor, dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Ndryshe, shqyrtimi gjyqësor për këtë rast, ka përfunduar me 7 mars 2022, ku i akuzuari është deklaruar i pafajshëm, ndërsa prokuroria ka kërkuar dënimin e tij sipas ligjit.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Mazreku, derisa ishte duke drejtuar automjetin në të cilin kishte edhe dy pasagjerë, ndalohet nga zyrtarët policorë, të cilët ishin duke kryer detyrën zyrtare, planin operativ “Pandemia CIVID-19”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët policorë pas ndalimit e pyesin të akuzuarin Mazreku “ku jeni duke shkuar, sepse zona territoriale e Malishevës është në vetizolim dhe nuk lejohet të dilni jashtë kësaj zone”, dhe në atë moment i akuzuari përgjigjet “ne jemi duke shkuar për një punë zyrtare në Prizren, për të hetuar vepra kriminale”, dhe i njëjti i prezanton policëve një ID kartelë me fotografi me shënime Agjensia Investigative “Stop Crime”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ID-ja fillimisht është verifikuar, e pastaj është vërtetuar se kjo organizatë është një OJQ në Republikën e Shqipërisë dhe personat që posedojnë këtë ID nuk kanë të drejtë të prezantojnë të njëjtën dhe as të prezantohen si persona zyrtarë.

Me këtë, i akuzuari Mazreku ngarkohet se ka kryer veprën penale “Prezantim i rremë si person zyrtar”, nga neni 409, paragraf 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.