26-11-2024

Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për përdorim të paautorizuar të narkotikëve

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, e ka dënuar me 500 euro gjobë, të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Jasin Abudllahu.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, pasi që i pandehuri Abdullahu e ka pranuar paraprakisht fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Kurteshi e ka ngarkuar të akuzuarin edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, pas ricilësimit të veprës penale nga prokurori Musli Gashi, në favor të të pandehurit, nga paragrafi 1 në paragrafin 2 të të njëjtit nen, i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

“Me vjen keq për këtë që ka ndodhur. Unë jam për herë të parë në gjykatë dhe jam penduar. Për shkak të kushteve ekonomike, kërkoj të më zbutet dënimi”  ka thënë i pandehuri Abdullahu, duke shtuar se nuk do të përsërisë më vepër të tillë.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Gashi, me arsyetimin se një gjë e tillë është bërë në mbështetje me provat dhe materialet që janë bashkangjitur në aktakuzë, e si të tillë e ka aprovuar edhe gjykatësja Kurteshi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 19 nëntor 2018, Jasin Abullahu akuzohet se me 27 korrik 2017, në ora 22:40, derisa ishte duke lëvizur me veturë, saktësisht në Dragash, i njëjti posedon pa autorizim substanca narkotike.

Në aktakuzë thuhet se, pas ndalimit nga organet e rendit, i akuzuari e hedh në tokë qesen me substancën narkotike, e cila pas konstatimit nga eksperti i Agjencisë së Kosovës për Fornezikë, i datës 1 nëntor 2018, rezulton se përmbante marihuanë me peshë 1.73 gram.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, e paraparë me nenin 275, paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.