25-04-2024

Dënohet me gjobë për posedim të kanabisit në Dragash

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, sot e ka dënuar me shumen prej 150 eurosh, të pandehurin Denis Alidinin, të akuzuar për veprën  penale “posedim i pa autorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.

Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur gjyqtarja e çështjes Sabaheta Kurteshi, pasi që i pandehuri ka pranuar paraprakisht fajësinë, për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Kurteshi, e ka obliguar të pandehurin, edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro, në emër të fondit për viktimat e krimit, kurse sa i përket substancës narkotike, ka bërë konfiskimin e saj.

Pasi që i pandehuri Alidini, është njoftuar me të drejtat e tij procedurale, nga ana e gjyqtares dhe pasi që i është bërë leximi i aktakuzës, nga prokurori Musli Gashi, ai ka deklaruar se ndihet fajtor, për veprën me të cilën ngarkohet.

Përfaqësuesi i tij, avokati Ardit Rifaj, ka kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit, të ketë në konsideratë  faktin, se i akuzuari  është i gjendjes së dobët ekonomike, si dhe  është i penduar për veprën që e ka kryer.

“I mbrojturi im ka gjendjen jo stabile emocionale dhe është i ngarkuar, pasi që i njëjti me parë ka jetuar në shtetin e Austrisë, ku edhe ka mbajtur burgim, si dhe ka filluar përdorimin. Ai këtë substancë, në peshën prej 0.87gram, e ka  mbajtur për përdorim personal, në mënyrë që të qetësohet, pasi që edhe mjeket në Austri ja kanë lejuar, gjatë rehabilitimit” ka thënë avokati Rifaj në fjalën e tij.

Pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Alidini, nuk e ka kundërshtuar as prokurori Musli Gashi, pasi që siç ka thënë ai, i njëjti është bërë me vullnet dhe në harmoni me provat, në të cilat mbështetët aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur me datën 17 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Denis Alidini, akuzohet se me datën 25 mars 2020,rreth orës 16:00, në fshatin Blaq, Komuna e Dragashit, pa autorizim ka  poseduar  narkotik, të llojit kanabis.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës, në veturën e markës “Golf 4”, të cilën e drejtonte  vetë i pandehuri, në xhaketën e tij, i është gjetur një qese plastike, me substanca të dyshuara, e cila sekuestrohet si substancë e llojit marihuanë, me peshë 0.78 gram.

Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “posedim i pa autorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge” , e paraparë në nenin 269, paragrafi 2 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.