23-11-2024

Dënohet me katër muaj burgim me kusht i akuzuari për vjedhje të shërbimeve të KEDS-it

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, Haxhi Kryeziu.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën, pasi që i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”..

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Lulzim Paçarizi, dënimi me kusht ndaj të akuzuarit Kryeziu nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

I akuzuari Kryeziu po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 30 eurosh, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 31 korrik 2019, Haxhi Kryeziu akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 9 mars 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për energji elektrike të Republikës së Kosovës, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u lidhur direkt  jashtë pikës matëse dhe me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 235.79 euro.

Sipas aktit akuzues me këto veprime i akuzuari Kryeziu, ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragraf 6, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.