Pas Shpend Ahmetit, edhe Lumir Abdixhiku mohon se i po i bashkohet partisë së Vjosa Osmanit

Ish-ministri i Qeverisë së Albin Kurtit, Lumir Abdixhiku, që është anëtar i kryesisë së LDK’së, thotë se largimi nga LDK’ja nuk e ka opsion.
“Nuk e di pse po bëhet temë largimi im nga LDK. Nuk ka qenë, s’është dhe s’do të jetë asnjëherë alternativë e imja”, ka thënë Abdixhiku për Gazeta Express.

Syri.net, medium i gazetarit Çim Peka në Shqipëri, ka publikuar sot një listë të emrave nga politika dhe shoqëria civile në Kosovë, të cilët, sipas raportimit, do t’i bashkohen kryeparlamentares Vjosa Osmani në nismën e saj të re politike.

Abdhixhiku është raportuar se ka abstenuar brenda kryesisë së LDK’së kur partia vendosi që të largohet nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, ndryshe nga Vjosa Osmani, që tregonte publikisht revoltën ndaj partisë, Abdixhiku ka deklaruar gjithmonë se i respekton vendimet e shumicës në LDK, edhe nëse nuk pajtohet. Ai nuk u përfshi më pas në Qeverinë e re, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërkaq lista e publikuar ka këta emra: ish-presidentit i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, deputeti Ardian Shala, ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ish-rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, avokati Dastid Pallaska, ish-deputeti Dardan Sejdiu, kabineti i saj në Kuvendin e Kosovës. Në bisedime është edhe Mimoza Kusari, Shpend Ahmeti dhe shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe disa degë të rëndësishme të LDK-së.
Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka mohuar se do t’i bashkohet Osmanit, veçse i ka uruar asaj dhe “listës” sukses.

“Sigurisht që jo. Nuk do t’i bashkohem askujt”, ka thënë Ahmeti.

Në paraqitjet e fundit para mediave, kryeparlamentarja Vjosa Osmani thotë se fati i saj në LDK është caktuar më 20 qershor, kur këshilli i kësaj partie e përjashtoi nga të gjitha pozitat për shkak të qëndrimeve të saj politike, të kundërta me vendimet e LDK’së.

Osmani, që ishte kandidate e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, kundërshtoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, të cilën e inicoi LDK’ja.

Kryeparlamentarja ka bërë të ditur gjatë kësaj jave që prej kohësh nuk komunikon me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, ndërsa ka komunikim të rregullt me liderin e VV’së, Albin Kurtin.

Zyrtarë të lartë të LDK’së, si nënkryetarët Agim Veliu e Haki Rugova e kanë mirëpritur deklaratën e Osmanit për “ndarje të rrugëve me LDK’në”.