20-05-2024

Dënohet me kusht dhe gjobë i akuzuarit se i ofroi ryshfet zyrtarit të QRAP në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Lazar Nikoliç, duke e dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 150 euro gjobë, për akuzën se ia dha 50 euro ryshfet zyrtarit të Qendrës Regjionale të Administratës të Pensioneve (QRAP) në Prizren.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit u shpall të hënën, nga gjykatësja Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Nikoliç është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej një viti i akuzuari nuk kryen vepër të re penale, si dhe u dënua me gjobë në shumën prej 150 euro.

Po ashtu, i akuzuari sipas aktgjykimit është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro dhe shumën prej 50 euro në emër të viktimave të krimit.

Ndryshe, Nikoliç e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihej në barrë.

“E pranoj veprën penale për të cilën akuzohem. Pendohem për veprimet dhe premtoj se në të ardhmen nuk do bie në konflikt me ligjin”, ka thënë Nikoliç.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari, nuk u kundërshtua nga prokurori Mehdi Sefa, i cili ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin Nikoliç ta shpall fajtor sipas ligjit.

Prokurori Sefa tha se gjatë shqiptimit të dënimit gjykata të ketë parasysh të gjitha rrethanat, nga ato lehtësuese të ketë parasysh pranimin e fajësisë, moshën e tij, gjendjen shëndetësore dhe gjendjen materiale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 dhjetor 2022, i akuzuari Lazar Nikoliç ngarkohej se më 26 tetor 2022, në Qendrën Regjinale të Administratës të Pensioneve (QRAP) në Prizren, në mënyrë të tërthortë i ofron përfitim personit zyrtar që ai mos të veprojë në pajtim me detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në cilësinë e pensionistit paraqitet në sportelin e Zyrës QRAP në Prizren për të vazhduar realizimin e pensionit në çdo 6 muaj dhe për t’i krijuar vetes lehtësi në brendinë e sportelit të zyrtarit Nuredin Ademaj, kishte vendosur një pliko të bardhë në të cilën kishte vendosur kartëmonedhën prej 50 eurove.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.