Dënohet me kusht i akuzuari për uzurpim të pronës në Rahovec
Por, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Zllanoga, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur, duke thënë se atë parcelë e ka punuar qysh para lufte që nga viti 1992 e deri më sot.
Ndërsa, i premtoi gjykatës që nga ky vit më nuk do ta punojë parcelën kontestuese, por do të bëj përpjekje që me të dëmtuarin të arrij marrëveshje, pasi që nuk ka rrugë tjetër për të kaluar tek toka e tij.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh gjendjen e varfër ekonomike, pasi që të ardhurat i siguron nga bujqësia dhe është mbajtës i familjes pesë anëtarëshe, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurorja e shtetit, Dëshire Jusaj.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 29 nëntor 2016, ndaj Xhevdet Zllanoga, duke e ngarkuar atë me veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 22 tetor 2014, e deri më tani në fshatin Hoçë e Madhe e Rahovecit, në vazhdimësi, në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare uzurpon pronën e paluajtshme të personit tjetër.
I njëjti akuzohet se të dëmtuarit Bajram Rexha i ka pamundësuar disponimin me paluajtshmërinë e tij që gjendet në vendin e quajtur “Leska”, me sipërfaqe prej 1304m2./betimiperdrejtesi/