Mari*huanë, koka*inë, peshore dhe dhjetëra qese bosh në një Polo në Suharekë, dy të rinj ndalohen për 48 orë
Një kontroll policor në fshatin Shirokë të Suharekës ka rezultuar me sekuestrimin e substancave të dyshuara narkotike, pajisjeve për matje dhe paketim, parave dhe telefonave mobilë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 3 tetor, rreth orës 18:00, te “Tregu i Ri”, patrulla policore ka ndaluar një VW Polo, të cilin e drejtonte F. Berisha, ndërsa në automjet ndodheshin edhe A. Gjokaj dhe D. Gashi.
Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25.8 gramë substancë e dyshuar marihuanë, një peshore digjitale, një grinder, një brisk dhe 63 qese të vogla plastike të zbrazëta.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë kontrollit të njërit prej të dyshuarve janë gjetur edhe tri qese me substancë të dyshuar kokainë, me peshë 0.83 gramë, një peshore tjetër digjitale, 96.30 euro dhe një telefon iPhone 12 Pro.
Po ashtu janë sekuestruar edhe 85 euro, dy telefona të tjerë mobilë, si dhe vetura me dokumentacionin dhe çelësin e saj.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, dy prej të dyshuarve janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

