23-11-2024

Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se e kishte rrahur të miturin në “Internet caffe”

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht të pandehurin Selmedin Hoxha, i cili akuzohet për veprën penale “lëndim i lehte trupor”.

Dënimi ndaj tij, nuk do të ekzekutohet në periudhën verifikuese prej një viti, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin e ka shpallur gjyqtari i çështjes, Bekri Vehapi, në seancën fillestare të së enjtes, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Gjykata e ka obliguar atë edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro për ekspertizën mjekoligjore, 20 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro tjera, në emër të fondit për viktimat e krimit.

Pasi që është njoftuar me të drejtat procedurale dhe pasojat lehtësuese të pranimit të fajësisë, i pandehuri Hoxha ka deklaruar se ndihet fajtor.

fot o per web 2-19.12.2019

“Më vjen keq për atë që ka ndodhur, unë i kam kërkuar falje edhe babait të të dëmtuarit. Gjithë kjo ka ndodhur pa qellim të keq dhe nuk do të përsërit më. Me familjen e të dëmtuarit jemi pajtuar dhe nuk kemi asnjë problem”, ka thënë Hoxha.

Prezent në seancën e së enjtes ka qenë edhe i dëmtuari B.B, bashkë me përfaqësuesin e tij ligjor, S.B, i cili ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të pandehurit dhe nuk kërkon asnjë dëmshpërblim, pasi që ata tashmë janë pajtuar dhe qëndrojnë mirë mes vete.

Pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Atnor Skoro, ngase siç ka thënë ai, i njëjti është bërë me vullnet dhe është në përputhje me provat me të cilat mbështet aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 14 tetor 2019, Selmedin Hoxha akuzohet se më 30 korrik 2019, rreth orës 16:30, në fshatin Restelicë të Dragashit, saktësisht në lokalin e tij “internet kafe”, i shkakton lëndime trupore të miturit B.B.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që  derisa i dëmtuari kishte shkuar të luaj me shokët në lokalin e tij, në një moment i dëmtuari fjaloset me një klient, ku më pas i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me shuplakë në pjesën e qafës dhe e kap me të dy duart për qafe dhe veshi, duke e larguar nga lokali, me çka atij i shkakton lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, ai akuzohet të ketë kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, neni 185, paragrafi 3, nën paragrafi 3.1 i Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.