Dënohet me vetëm 3 mijë euro pronari i kompanisë ku vdiq punëtori 17-vjeçar në Prizren
Dy vjet më parë, një 17-vjeçar kishte vdekur në vendin e tij të punës, pas një aksidenti. E për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar pronarin e kompanisë me gjashtë muaj burg, që janë zëvendësuar me 3000 euro gjobë.
Nga Sindikata e Sektorit Privat po kritikojnë vendimet e Gjykatës karshi këtyre rasteve, duke thënë se jeta e punëtorëve nuk po vlerësohet.
Lexo Edhe:
Këto janë vendbanimet e rajonit të Prizrenit me rastet e reja nga Covid-19
Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka kritikuar dënimet që institucionet po ua vënë kompanive
Dy vite më parë një 17 vjeçar vdiq në vendin e tij të punës në Prizren.
I njëjti u raportua se punonte për të siguruar mbijetesën.
Pasi që dyshohej se kompania kishte rrezikuar sigurinë në vend të punës, me këtë rast është marrë edhe Gjykata Themelore në Prizren.
E ky institucion për shkak të veprës penale asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës, ka dënuar kompaninë.
E dënimi me burg është zëvendësuar me dënim me gjobë, me shumë prej 3000 eurosh.
Këto zhvillime nuk i kanë komentuar familjarët e të miturit, të cilët thanë se ky rast nuk ka nevojë të rikthehet.
Por avokati mbrojtës i kompanisë “Satstyro”, Bestar Kolgeci ka thënë se familja që nga fillimi nuk dëshironin ta ndjekin penalisht kompaninë.
Sipas Kolgecit ka qenë kërkesë e të pandehurit që dënimi të shndërrohet në dënim me gjobë.
Por sipas Sindikatës së Sektorit Privat, dënimet e tilla po e ulin vlerën e jetës së njerëzve.
Ndërkohë për këtë rast Inspektorati i Punës pati dënuar kompaninë me dymijë euro gjobë.
Vetëm gjatë këtij viti 10 persona kanë vdekur në vend të punës./GazetExpress